UBT News

Në ​Mitrovicë të Veriut peticioni për shkarkimin e kryetarit do të mbahet në palestrën sportive

Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore ka vendosur sot t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së grupit inicues të qytetarëve për peticionin në lidhje me shkarkimin e kryetarit të kësaj komune, i cili ka kërkuar që mbledhja e nënshkrimeve të zhvillohet në objektin e palestrës sportive në veri të Mitrovicës.

Kështu qytetarët e kësaj komune do të kenë mundësi që deri më 22 janar, përkatësisht 6 shkurt, të mbledhin gjithsej 3 mijë e 640 nënshkrime, sa është e nevojshme për të shkarkuar kryetarin e komunës së Mitrovicës Veriore.

Nexhat Uglanin, kryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, ka bërë të ditur se disa këshilltarë të këtij Kuvendi janë takuar sot dhe kanë dhënë pëlqimin që hapësira publike për mbledhjen e peticionit të jetë palestra sportive. Sipas tij, udhëzimi administrativ parasheh lehtësim për grupin inicues, që në rast të mosarritjes së numrit të nevojshëm të nënshkrimeve, afati të shtyhet edhe për 15 ditë tjera.

“Kemi vendosur si Kuvend Komunal me dhënë hapësirën publike ku e kanë kërkuar, e ajo është palestra e sporteve në pjesën veriore, për mbledhjen e peticionit për shkarkimin e kryetarit… Sipas afatit, ata janë të obliguar deri më 22 janar të sjellin peticionin tek kryesuesi i Kuvendit Komunal, i cili detyrohet sipas udhëzimit administrativ ta dërgojë në komisionin zgjedhor. Por, udhëzimi administrativ pasrashikon edhe një lehtësim për grupin inicues, që në rast të ndonjë telasheje, mund të kërkojnë afat shtesë edhe 15 ditë… Nga komisioni zgjedhor kemi marrë numrin e 20 për qindshit i cili është 3 mijë e 640 nënshkrime”, ka thënë Uglanin.

Serbët e veriut të vendit pasi bojkotuan zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, me ç’rast për kryetarë të komunave u zgjodhën shqiptarët, ndryshuan qëndrimin dhe në tetor të këtij viti vendosën të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës.

Exit mobile version