UBT News

​Në mbledhjen komemorative, vlerësohet lartë figura e Haxhi Thaçit

Në mbledhjen komemorative të organizuar më rastin e vdekjes së Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, u vlerësua lartë figura dhe kontributi i tij për lirinë e vendit. Aty u tha se Haxhi Thaçi mbolli farën e lirisë dhe la trashëgiminë historike të Kosovës.

Në këtë organizim ku morën pjesë një numër i madh i qytetarëve nga e gjitha Kosova, bashkëpunëtorë të ish-presidentit, Hashim Thaçi, si dhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë bashkë me ministra të kabinetit qeveritar, u theksua mungesa e Thaçit në varrimin e babit të tij.

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura tha se Haxhi Thaçi është pjesë e brezit që mbolli farën e lirisë dhe e ujiti atë me përkushtim të jashtëzakonshëm e sakrifica të mëdha.

Nura e konsideroi si goditje të rëndë vendimin për moslejimin e ish-presidentit Thaçi për të qenë sot i pranishëm në vdekjen e babit të tij.

“Haxhi Thaçi është pjesë e brezit që mbolli farën e lirisë dhe e ujiti atë me përkushtim të jashtëzakonshëm e sakrifica të mëdha. Prandaj, ai sot i la trashëgiminë historike Kosovës… Baci Haxhi jo vetëm që iku nga kjo botë me mallin për djalin e tij, që të çmallej në moshën e pleqërisë, por iku pa e kuptuar pse Hashim Thaçi si një nga çlirimtarët që e solli lirinë, po vazhdon të qëndrojnë në një ambient burgu jashtë vendit të tij për të cilin punoj dhe luftoj pa reshtur deri në nëntorin e vitit 2020. Për të vazhduar sot e kësaj dite betejën për drejtësi…Vendimi për moslejimin e presidentit Thaçi për të qenë sot i pranishëm mes nesh është goditje rëndë, jo vetëm për familjen, ne dhe të gjithë ju bashkërisht. Por, për të gjithë ata që besojnë se drejtësia do të jetë drejtësi”, tha Nura.

Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se vlerat, mësimet dhe dinjiteti i siç e quan ai bacit Haxhi, janë forcat e padukshme që udhëhoqën Hashim Thaçin të bëhej një shtyllë e historisë tonë kombëtare.

‘President ashtu si edhe populli i Kosovës, babi yt ishte krenar me ty gjithmonë”, iu drejtua Krasniqi ish-presidentit Thaçi, me rastin e pa mundësisë për pjesëmarrje në këtë mbledhje komemorative.

“Me ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit ne nuk vajtojmë vetëm një baba. Ne nderojmë një figurën që mishëroi sakrificën, mendësimet e së cilës formësuan historinë dhe ishin busulla e moralit që krijoi një lider historik si Hashim Thaçi… Haxhi Thaçi nuk rriti vetëm një djalë, ai formësoi një udhëheqës, një çlirimtar, një njeri që do të qëndronte në ballë të luftës për lirinë e Kosovës dhe vendit e qytetarëve tanë. Vlerat e tij, mësimet e tij, dinjiteti i tij i heshtur, këto janë forcat e padukshme që udhëhoqën Hashim Thaçin të bëhej një shtyllë e historisë tonë kombëtare…Edhe sot nga kjo mbledhje komemorative ku padrejtësisht dhe fatkeqësisht mungon Hashim Thaçi ne i përcjellim ngushëllimet dhe përshëndetjet më të sinqerta atij duke i thënë ‘President ashtu si edhe populli i Kosovës, babi yt ishte krenar me ty gjithmonë”, u shpreh Krasniqi.

Njeri të urtë, prind shembullor, mik të rrallë, e atdhetar të palëkundur e quajti Haxhi Thaçin, kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza.

Ai tha se Haxhi Thaçi nuk ishte thjeshtë një baba, por një simbol i përkushtimit dhe një shtyllë e pathyeshme e familjes Thaçi.

“Jemi mbledhur këtu me zemrat e rënduara nga dhimbja, por edhe me nderimin më të madh për jetën dhe veprën e një njeriu të urtë, një prindi shembullor, një miku të rrallë dhe një atdhetari të palëkundur, bacit Haxhi Thaçi…Baca Haxhi nuk ishte thjeshtë një baba, por një simbol i përkushtimit, një shtyllë e pathyeshme e familjes Thaçi. Ai ishte njeriu që përjetoi padrejtësinë më të madhe. Jo vetëm si një shqiptar që për dekada u rrit dhe jetoi në shtypje, por si baba që pa të birin e tij një nga luftëtarët dhe udhëheqësit më të shquar të çlirimit dhe shtet ndërtimit të Kosovës, të mbajtur padrejtësisht në burg, larg familjes, popullit, atdheut për të cilin dha gjithçka…Malli dhe vuajtjet e bacit Haxhi nga padrejtësia ndaj Hashimit dhe shokëve të tij u bë e padurueshme kohëve të fundit. Por, ishte pikërisht malli dhe dëshira e tij si baba për ta parë dhe njëherë për së gjalli birin tij, heroin tonë të gjallë, presidentin zotërinë Hashim Thaçi, ajo që e mbante larg vdekjen këmbëngulëse”, tha Hamza.

Në mbledhjen komemorative, fjalim pati edhe kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila lartësoi edukatën prindërore të Haxhi Thaçit.

“Haxhi Thaçi ky burrë i shtrirë përpara nesh për të cilin morëm të gjithë rrugën këtu në Skenderaj, është shembull se si një njëri i thjeshtë mund të bëhet një atdhetar i madh. Kjo është e mundur kur urtësia, njerzillëku, ndershmëria, lidhjet e forta me njerëzit dhe përkushtimi i përditshëm i një burri që duket i zakonshëm, shumëfishohen, ndriçojnë dhe frymëzojnë përkushtimin dhe sakrificat për atdheun, për kombin për njerëzit. Por, Haxhi Thaçi ishte më shumë se ka kaq, përkujdesja prindërore, edukata patriotike, devocioni i këtij plaki që udhëhoqi gjithë jetën nga fryma e së drejtës dhe frymëzimi prej lirisë, i dhanë Kosovës një komandat e një luftëtar, një udhëheqës vizionar kryeministrin e parë dhe presidentin e pavarur të Kosovës… Baca Haxhi në vend të Hashimit kemi ardhur të të përcjellim ne të gjithë nga Shqipëria dhe të gjithë shqiptaria, të qoftë i lehtë dheu i Burojës, Skenderaj, Kosovës, të kam sjellë dhe një dorë nga dheu i Shqipërisë”, potencoi ajo.

Ndërkaq, Linda Rama, bashkëkohorja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama tha se deshi që të jetë sot pranë nënës dhe bashkëshortes së ish-presidentit Thaçi, për të ndarë dhembjen.

“Në këtë ditë të trishtuar jam këtu me të gjithë familjen tuaj të cilës sot i mungojnë dy burra. E di dhe mirë se çfarë do të thotë të jesh bashkëshortja e një politikani. Aq më tepër e një udhëheqësi, aty ku fryn dhe nuk pushojnë erërat e forta. E përjetoi çdo ditë…Po çka nuk di dot fare në këtë ditë kaq të trishtuar është se çdo të thotë të kesh fëmijën me pushkë në dorë, duke luftuar nëpër male apo rob të atdhedashurisë së vet diku larg në një vend, pa qiell e për askush nuk e di se sa kohë…Desha të jem këtu sot pranë nënës dhe gruas së Hashimit. Nënës dhe bashkëshortes së komandantit siç e thërras gjithnjë dhe në shtëpi i cili dhe në këtë ditë ndarjeje të dhimbshme duhet të vijojë të jetë larg në luftë…Të qoftë i lehtë dheu, baca Haxhi”, potencoi Rama.

Njoftimi për vdekjen e Haxhi Thaçit u dha të dielën, pak ditë pasi ish-presidenti Hashim Thaçi e vizitoi atë në Klinikën Interne të QKUK-së, në të cilën po trajtohej.

Varrimi i Thaçit do të bëhet sot në orën 15:00 në varrezat e fshatit Burojë të Skenderajt.

Ndërkaq, Gjykata Speciale ka refuzuar kërkesën e Thaçit për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.

Exit mobile version