UBT News

Në Kuvend sot zhvillohen dy seanca të jashtëzakonshme për zgjedhjen e qeverisë së re

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë sot dy seanca të jashtëzakonshme plenare, ku pritet të trajtohen disa projektligje të rëndësishme dhe më pas të zhvillohet votimi për zgjedhjen e qeverisë së re.

Seanca e parë nis në orën 11:00, teksa Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në seancën e orës 11:00.

Seanca është thirrur me disa pika të rendit të ditës, si formimi i komisioneve parlamentare, shqyrtimi i parë i projektligjit për ndarjet buxhetore, miratimi i buxhetit për tri komuna të Kosovës (Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok), çështja e financimit të Radio Televizionit të Kosovës dhe ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ndërsa seanca e Kuvendit për zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës do të nisë në orën 14:00.

Seanca për Qeverinë mbahet në ditën e fundit të mandatit kushtetues, pasi presidentja Vjosa Osmani, mandatoi më 4 nëntor Glauk Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosje për formimin e ekzekutivit të ri.

Sipas praktikave, Konjufca pritet të paraqesë një ekspoze para 120 deputetëve dhe të prezantojë kabinetin e ri qeverisës, për votimin e të cilit kërkohen të paktën 61 vota.

Pas propozimit si mandatar nga LVV-ja, Konjufca tha se dëshiron bashkëpunim me partitë parlamentare, por jo edhe ndonjë marrëveshje koalicioni.

Ai tha se kërkon mbështetjen e deputetëve për Qeverinë e tij, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet parlamentare në dhjetor dhe që vendi të ketë ekzekutiv “së paku” deri në prill, kur duhet të zgjidhet presidenti i ri i vendit./S.K/KP/

 

Exit mobile version