Në hapje të Kongresit të Tretë Kosovë-Turqi, sot u bë përurimi i Laboratorit të Forenzikës në UBT, hap ky i rëndësishëm drejt zhvillimit të kapaciteteve të kërkimit shkencor në Kosovë.
Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ishte i pranishëm për të shënuar këtë moment historik, krah personaliteteve të shquara si Prof. Dr. Irfan Karadede nga Universiteti Izmir Katip Çelebi, Prof. Dr. Sevinç Polat nga Universiteti Yozgat Bozok, si dhe Prof. Dr. Ilirjan Mandro, Rektor i Akademisë së Sigurisë së Shqipërisë.
Në mesin e të pranishmëve ishin edhe personalite eminente nga fusha e drejtësisë dhe politikës, si Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, Zëvendësministri në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarishku, dhe Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili.
Në përurim të laboratorit, udhëheqësi i bordit shkencor të Institutit të Forenzikës në UBT, Arsim Gërxhaliu tha ky hap duhet të shërbejë si pikënisje për zhvillimin edhe të disiplinave të tjera forenzike.
“Andaj pikërisht sot, në këtë datë të Kongresit të Tretë Kosovë-Turqi, bëjmë edhe hapjen zyrtare të laboratorit, si një pikënisje për fillimin dhe zhvillimin e disiplinave të tjera forenzike”, deklaroi ai.
Instituti i Forenzikës në UBT është një qendër e rëndësishme e dijes dhe shërbimeve në Kosovë dhe mbulon një gamë të gjerë temash në aspektin akademik, shkencor dhe profesional, duke përfshirë mjekësinë, kriminologjinë, teknologjinë, ushqimin, ekonominë, sigurinë, inxhinierinë, teknologjinë, artin, dhe shumë fusha të tjera./UBTNews/