Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT ka filluar aktivitetin me disa tema dhe ligjërata interesante rreth medias dhe informacionit, për të cilat krahas prezantimit pati edhe diskutime të vyeshme me studentët pjesëmarrës, për të vazhduar pastaj me punë praktike rreth mënyrës se si të shkruhet lajmi.
Akademia ka vazhduar me pjesën e dytë të ligjëratës nga Bul Salihu me temën: “Funksionimi i mediave sociale”, për të vijuar me kursin e fotografisë, me profesoreshën Anisa Rada.
Temat kryesore të Akademisë Ndërkombëtare Verore të Fakultetit Media dhe Komunikim, që zhvillohet në kuadër të “Global UBT Fest 2021”, festivalit më të madh ndërkombëtar të dijes në Kosovë, janë të fokusuara në shkathtësitë e shkrimit të lajmit, teknikat dhe standardet e fotografimit dhe menaxhimi i mediave sociale me fokus promovimin e lajmit. Akademia do të përmbyllet me ligjëratat e regjisorit e profesorit Orhan Kerkezi, me temën: “Ana B e jetës”.
Pjesëmarrësit për një javë do të mësojnë gjithçka që ju duhet për shkrimin e një lajmi, duke qenë pjesëmarrës direkt në mbulimin e ngjarjes në terren, shkrimin e lajmit në zyrë dhe botimin e tij në portalin UBTNEWS dhe rrjetet sociale.
Po ashtu, ata do të mësojnë gjithçka që iu duhet rreth fotografisë, teknikave dhe pjesës kreative për shkrepjen e fotove që flasin më shumë sesa qindra fjalë.
Pjesëmarrësve e kësaj akademie do t’u ofrohet workshop i veçantë për të kuptuar sesi funksionojnë mediat sociale, fuqia e algoritmit dhe rëndësia e përmbajtjes në mediat sociale, të cilat do të shtjellohen nga Rrita Reka.