Fakulteti Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, në bashkëpunim me profesoreshën në UBT, Ermira Shehu, ka zhvilluar një ligjëratë tematike me përfaqësues nga industria, në kuadër të lëndës “Sjellje Organizative dhe Lidership”, me studentët e vitit të dytë.
Tema e cila u shtjellua gjatë kësaj ligjërate ishte “Sjellja e menaxherëve dhe menaxhimi i Stresit”, në të cilën studentët kishin përgatitur prezantimet e tyre, të cilat i shpalosen para drejtorit të Burimeve Njerëzore në Korporatën Viva Fresh Store, Gazmir Efendija.
Qëllimi i kësaj ligjërate tematike ishte që studentët përveç shtjellimit teorik të temës, të njoftohen edhe me zhvillimet praktike që aktualisht aplikohen nga ndërmarrja lidere në tregun vendor. Ai përmes përvojës së tij ka theksuar për studentët pjesëmarrës, rëndësinë e burimeve njerëzore në zhvillimin e suksesshëm të biznesit, dhe po ashtu impaktin pozitiv që kultura organizative ka në arritjen e objektivave të përgjithshme të ndërmarrjes. Gjatë kësaj ligjërate vëmendje e veçantë iu dedikua aspektit të trajtimit që menaxherët aplikojnë për vartësit e tyre dhe u nënvizua rëndësia e ndërtimit të një fryme të ngushtë bashkëpunimi.
Drejtori i Burimeve Njerëzore në Viva Fresh Store, Gazmir Efendija tha se duke qenë lider në tregun vendor, korporata Viva Fresh, mundohet që përmes trajnimeve, bashkëpunimit të ndërsjellë dhe mbështetjes së vazhdueshme të minimizojë stresin në vendin e punës për të gjithë punonjësit.
Përmes qasjes motivuese dhe mundësive që korporata ofron, ai ka argumentuar teorinë që menaxherët e suksesshëm zhvillohen dhe përmes eksperiencës së tyre i mbështesin dhe ndihmojnë vartësit që të aftësohen për t’u bërë menaxherë të së ardhmes. Kjo temë nxiti diskutime dhe pyetje të shumta nga studentët, të cilët në fund të kësaj ligjërate u ndanë shumë të kënaqur me temat e trajtuara dhe qasjen në diskutim.
Në fund të këtij takimi është theksuar rëndësia që iniciativat e tilla janë shumë të rëndësishme për forcimin edhe më të madh të lidhjes në mes të akademisë dhe industrisë, dhe UBT është një ndër institucionet e para në vend që ka aplikuar në praktikë këtë qasje.