Nga Mero Baze
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është në pritje të shqiptimit të akuzës, pasi është thirrur në Hagë për të dhënë shpjegime rreth dosjes së tij.
Ramush Haradinaj po ashtu. Kadri Veseli, kryetar i PDK, është po në pritje. Në këtë listë pritet të jenë thuajse gjithë ish- komandantët e UÇK, që sot janë në politikë. Deri dhe Ali Ahmetin në Maqedoni, e ka prekur lista.
Nga ana tjetër Kosova është përballë një raundi bisedimesh delikate në Uashington, në fillim të shtatorit, axhenda e të cilit duket se vazdon të jetë e ndarë nga axhenda e bisedimeve të BE, edhe pse formalisht respektojnë njëri- tjetrin.
Sikur të mos mjaftonte kjo, në Kosovë ka filluar gara për president, ku i pari që nxiton është Ramush Haradinaj, i cili nuk dihet ku mund të arrijë më shpejt, në Hagë apo në Presidencë.
Pas tij LDk përmend dhe ajo emra kandidatësh për president, ndërkohë që ka Qeverinë. Vetëvendosja kërkon moscion mosbesimi, për të detyruar PDK-në të marrë pozicion, në Qeveri apo opozitë.
E gjithë kjo tregon se të gjitha palët janë të pasinqerta në veprimet e tyre publike.
E para, që ka rëndësi, është shumica parlamentare dhe është evidente se shumica parlamentare që mban në këmbë Qeverinë “Hoti”, është shumica e heshtur jashtë qeverisë, PDK.
Të gjithë provokimet e Vetëvendosjes apo Haradinajt janë thjeshtëteste nëse Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme ta lërë vetëm Qeverinë në rast mocioni, apo jo.
Për t’i dhënë fund këtij absurdi, para se të shkojnë në Uashington, Bruksel apo Hagë, në Kosovë duhet të zgjerojnë fillimisht bazën e Qeverisë, duke futur aty Partinë Demokratike të Kosovës, partinë që pason LDK-në për nga mandatet parlamentare dhe që ishte vendimtare në rrëzimin e Qeverisë “Kurti”.
Vetëm një shumicë e fortë parlamentare i eleminon këto provokimet, që duken si skema politike. Pas kësaj, PDK dhe LDK mund të ndajnë me njëra- tjetrën presidentin dhe kryeministrin, dhe të vazhdojnë bisedimet në Uashington dhe Bruksel.
Kjo loja sikur nuk ka ndodhur asgjë, dhe njëri vetëkandidohet president, të tjerët nxjerrin dy emra nga inati, po për president, njëri kërkon rrëzimin e Qeverisë, ndërsa partia e vetme që ka në dorë dhe shumicën qeveritare, dhe presidentin, pra PDK, po hesht.
Hapi i parë i saj është futja në Qeveri dhe zgjerimi i bazës së koalicionit dhe e dyta, zgjedhja e lidershipit të ri, nëse Thaçi e Veseli shkojnë në Hagë.
Pas kësaj, keni për të parë që nuk do prodhohen më lajme për t’u tallur si kjo puna e kandidatëve për president, që më shumë se të tjerët, e dinë vetë që nuk bëhen./gazetatema