UBT News

Në Komisionin për Legjislacion kalon buxheti, opozita e kundërshton dhe e quan mashtrim

Pa votat e opozitës, komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka votuar Raportin me amendamente të Komisionit Funksional në Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës.

Deputetët e opozitës thanë se Projektligji për ndarjet buxhetore nuk i plotëson kushtet e qytetarëve dhe si i tillë nuk do të votohet nga ta.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa tha se nëse Qeveria reflekton sa i përket Ligjit të pagave, do ta votojnë buxhetin.

“Ne nuk do t’i votojmë këto amendamente dhe është qëndrim i PDK-së, kështu që nëse reflekton Qeveria me Ligjin për paga atëherë do të kemi qëndrim tjetër”, tha ai.

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri tha se amendamenti i tij për Zonën ekonomike të Podujevës është larguar, ndërsa këtë e quajti mashtrim.

“Në amendamentin ku bëhet fjalë për Zonën ekonomike të Podujevës, amendament të cilin unë e kam paraqitur, e kemi kërkuar buxhetin prej 500 mijë eurosh dhe këtu e shoh se loja dhe mashtrimi që qenka bërë, e që qenkan vendosur vetëm 200 mijë euro dhe tre deputetë të pozitës më thanë se kaloi amendamenti yt. Ky amendament është mashtrim ose mosdije”, tha Tahiri.

Ndërsa anëtari tjetër nga VV-ja, Dimal Basha tha se këto 200 mijë euro janë vetëm për vitin 2022, ndërsa për vitin 2023 dhe 2024 priten të shtohen mjete tjera.

Këto amendamente kaluan me pesë vota pro, katër kundër dhe asnjë abstenim.

Exit mobile version