Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar të premten (20 gusht ) se në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Klinikat COVID dhe spitalet e përgjithshme rajonale janë të shtrirë 702 pacientë prej të cilëve 603 janë konfirmuar si të infektuar me koronavirusin e ri.
Sipas njoftimit, 28 janë në gjendje të rëndë shëndetësore ndërsa 539 po trajtohet me oksigjeno-terapi.
Vetëm në Klinikën Infektive në QKUK janë të shtrirë 112 pacientë.
Të enjten më 19 gusht, gazetarja e Radios Evropa e Lirë ka raportuar se në Klinikën Infektive në Prishtinë nuk ka pasur asnjë shtrat të lirë.
Infektologu Izet Sadiku, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, se rreth 90 për qind e pacientëve po trajtohen me oksigjeno-terapi dhe shumica janë të pavaksinuar.
Sipas ekspertëve amerikanë, vaksinimi kundër COVID-19 ul gjasat që personat e vaksinuar të infektohen me koronavirus, por ata që infektohen me Delta pas vaksinimit, kanë tendencë ta shpërndajnë virusin sikurse personat e pavaksinuar. Poashtu, personat e vaksinuar, që infektoheshin me virus, kanë simptoma më të buta të sëmundjes dhe e kalojnë më shpejt atë.
Deri më 19 gusht, Kosova ka administruar mbi 644 mijë vaksina. Kurse të vaksinuar plotësisht, janë mbi 221 mijë persona.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi të enjten se tetë persona kanë vdekur dhe janë regjistruar edhe 2.236 raste me COVID-19, që është një rekord i ri sa i përket infektimeve ditore me koronavirus.
Për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike ditëve të fundit, Qeveria e Kosovës ka miratuar masa të reja kufizuese që do të hyjnë në fuqi më 20 gusht.
Ndër masat kryesore janë ndalimi i punës së klubeve të natës, ndalimi i ahengjeve familjare, shkurtimi i orarit të punës së gastronomisë deri në ora 22:30 dhe mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura dhe në transportin publik.