UBT News

“Ne jemi të lodhur”, protestojnë mësimdhënësit në Belgjikë

Pas dy vitesh mbyllje për shkak të situatës me COVID-19, mijëra mësimdhënës frankofonë të Belgjikës dhe stafi i shkollës dolën rrugëve të Brukselit të martën për të protestuar për kushtet e punës.

Sipas tyre, klasat janë shumë të mëdha, objektet e shkollave kanë nevojë urgjente për riparim dhe mungesa e stafit të përgjithshëm të gjitha po ndikojnë në zhgënjimin e njerëzve. Mësimdhënësit janë të lodhur dhe thonë se s’po mund t’ia dalin.

“Ne u ofrojmë gjithçka studentëve tanë. Bëjmë gjithçka përmes një kompjuteri. Mundohemi t’ia dalim, por jemi të lodhur”, tha një protestues për Euronews.

“Klasat tona janë shumë të mëdha, me fëmijë me nevoja të veçanta që duhet t’i ndihmojmë, të cilët kanë nevojë për mbështetje shtesë, ndërsa pjesa tjetër e klasës bën diçka tjetër. Kërkesa ime e parë është të ulim numrin e nxënësve për klasë”, tha një tjetër.

Hera e fundit kur mësimdhënësit frëngjishtfolës protestuan ishte në vitin 2011, por këtë herë u shpërfaq më shumë zemërim.

Ata pajtohen me atë se protokollet ndryshojnë vazhdimisht dhe tani po shpenzojnë shumë nga koha e tyre duke menaxhuar mungesat, dhe kjo shton konfuzionin. Dhe mbi të gjitha, ata thonë se autoritetet janë të interesuara vetëm për zvogëlimin e kostos.

“Është puna më e mirë në botë. Ne të gjithë e duam punën tonë, por ata nuk na japin mjetet për të vazhduar ta duam punën tonë”, tha një mësuese protestuese.

Nëse situata përkeqësohet, punëtorët thonë se do të punojnë për të krijuar aleanca me kolegët e tyre evropianë për të kërkuar ndryshim të vërtetë dhe që autoritetet të kuptojnë se shkolla është një investim në të ardhmen./UBTNews

Exit mobile version