UBT News

Në Iran rritet numri i të vdekurve në trazira pas vdekjes së Mahsa Aminit

Mijëra protestues të mërkurën marshuan rrugëve të Iranit mes trazirave për vdekjen e Mahsa Aminit. 22-vjeçarja vdiq në paraburgim pasiqë ajo u arrestua javën e kaluar nga policia e moralit për shkak të kodit të veshjes.

Zyrtarët njoftuan të mërkurën se dy persona, përfshirë edhe një zyrtar policie, vdiqën gjatë natës pasi forcat e sigurisë tentuan t’i shpërndajnë protestuesit. Numri i të vdekurve shkoi në gjashtë.

Ndërsa në Stamboll, një grua preu flokët gjatë një proteste jashtë konsullatës iraniane në solidaritet me Aminin.

Dhjetra gra iraniane dhe turke jashtë konsullatës mbanin portrete të Aminit dhe pankarta në mbështetje të të drejtave të grave.

Qasja në Instagram në Iran u ndërpre të mërkurën, sipas grupit të monitorimit NetBlocks me bazë në Londër. Kjo ishte një nga platformat e pakta në dispozicion në Iran, pasi Teherani bllokoi Facebookun, Telegramin, Twitterin dhe YouTuben. Kurse faqet e qeverisë ranë pre e një sulmi kibernetik. Hakerët morën përgjegjësinë për sulmin.

Vitet e fundit, hakerët disidentë kanë vënë në shënjestër qeverinë iraniane me sulme kibernetike. Teherani ka fajësuar për këto sulme Izraelin./UBTNews/

Exit mobile version