Komuna e Hanit të Elezit në bashkëpunim me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Han të Elezit, si dhe me mbështetjen e pakusht nga Bashkësia Islame e Hanit të Elezit dje realizuan një ligjëratë mbi ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit, ku pjesëmarrëse ishin gra e vajza të shumta nga Hani i Elezit që kishin shprehur interesim për të përfituar nga kjo ligjëratë.
Takimin e hapi Kimete Kuka Hasallari-drejtoresha komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, e cila falënderoi të pranishmet, falënderoi QKMF-në dhe Bashkësinë Islame, si dhe përcolli rekomandimin për kontrolle të shpeshta dhe u sensibilizua me të prekurat. Mjeku i QKMF-së, dr.Përparim Rexhallari bëri prezentimin e ligjëratës, ku paraqiti se ç’është kanceri i gjirit, faktorët që ndikojnë në shfaqjen dhe zhvillimin e kancerit të gjirit, faktorët që ulin rrezikun, fazat e kancerit të gjirit, formën e trajtimit, ushqimet e rekomanduara, si dhe rëndësinë e mamografisë dhe zbulimit të hershëm. Nga QKMF të pranishëm ishin edhe mjekja familjare Lindita Rexhallari, motër infermiere Luljeta Sopa Qajani, të cilat dhanë kontributin e tyre në këtë ligjëratë nga fusha e mjekësisë.
Nga Bashkësia Islame ishin Xhevrije Vila, Hatixhe Bunjaku Krasniqi dhe Shqipe Suma, të cilat u sensibilizuan dhe dhanë mbështetjen e tyre të pafund. Por mësimet më të mëdha deri te të pranishmet, i dhanë të prekurat nga kanceri i gjirit, ku mesazhi i tyre kryesor është që gratë të fillojnë të bëjnë mamografi, të shpeshtojnë kontrollet mjekësore dhe të mos e fshehin sëmundjen, sepse duhet kuptuar rëndësia e zbulimit të hershëm, që rezulton me shërim të plotë.