Shërbimet për qytetarët së shpejti do të jenë të disponueshme për 24 orë në ditë, 365 ditë në vit përmes Inteligjencës Artificiale (AI), theksoi të hënën zëvendësministri i Qeverisjes Digjitale, Konstantinos Kyranakis.
Më konkretisht, integrimi i chatbot-eve (aplikacione) të fuqizuara nga AI do t’u japë qytetarëve mundësinë të bëjnë pyetje dhe të marrin përgjigje, duke zgjidhur pyetjet e tyre për një sërë çështjesh, përfshirë të drejtat e tyre sipas ligjit, shkruan Amna.
“Greqia pritet të jetë, nëse jo e para, një nga vendet e para anëtare të BE-së që u ofron qytetarëve mundësinë për të biseduar me qeverinë nëpërmjet inteligjencës artificiale”, nënvizoi Kyranakis.
“Pjesëmarrja e qytetarëve në këtë mekanizëm të ri do të japë rezultate shumë më të mira në një kohë të shkurtër”, shtoi ai.
Më shumë detaje rreth shërbimit do të jenë në dispozicion javën e ardhshme.
Sa i përket votës me postë, ai vuri në dukje se është një sistem që pritet të rrisë pjesëmarrjen në zgjedhje, për të lehtësuar kryesisht personat që ose janë jashtë vendit ose punojnë në baza sezonale larg zonës së tyre zgjedhore ose personat që kanë probleme lëvizëse, aftësi të kufizuara dhe përgjithësisht njerëzit të cilët për ndonjë arsye nuk mund të dalin në votime.