UBT News

Në funeralin e Khameneit në Iran, fotografia e Trumpit gjuhet me gurë në vend të “djallit”

Dhjetëra mijëra qytetarë morën pjesë në ceremoninë mortore të Ajatollah Ali Khameneit në Teheran, ku arkivoli i tij, i mbështjellë me flamurin iranian, u transportua me një kamion përgjatë një rruge rreth 10-kilometërshe që kalonte përmes sheshit Enghelab. Procesioni u zhvillua pasi trupi i liderit qëndroi për dy ditë për homazhe në Xhaminë e Madhe Mosalla, raportoi BBC.

Sipas BBC, tre nga djemtë e Khameneit u panë duke u lutur pranë arkivolit të tij, ndërsa Mojtaba Khamenei, i cili e pasoi në postin e Udhëheqësit Suprem, nuk ishte i pranishëm. Ai nuk është parë në publik që nga raportimet se ishte plagosur rëndë në sulmin ajror izraelit në Teheran më 28 shkurt, ku mbetën të vrarë edhe babai dhe bashkëshortja e tij.

Gjatë funeralit shtetëror, pjesëmarrësit zhvilluan edhe ceremoninë simbolike të njohur si “goditja me gurë e djallit”, duke hedhur gurë të vegjël mbi një fotografi të presidentit amerikan Donald Trump, sipas pamjeve të publikuara nga agjencia shtetërore iraniane Mizan. Ky ritual është pjesë e Haxhit dhe simbolizon refuzimin e së keqes.

Në rrugët e kryeqytetit, burra, gra dhe fëmijë mbanin flamuj iranianë dhe fotografi të liderit të ndjerë. Sipas CNN, një grua mbante një pankartë me fotografinë e Donald Trump dhe mbishkrimin “Vriteni Trumpin”, ku premtohej një shpërblim prej 20 milionë dollarësh për atentat ndaj tij.

Shfaqjet kundër Shteteve të Bashkuara, përfshirë thirrjet “Vdekje Amerikës” dhe djegien e flamurit amerikan, vazhdojnë të jenë pjesë e tubimeve të organizuara nga autoritetet iraniane që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

Ndërkohë, zhvillime janë shënuar edhe në Ngushticën e Hormuzit. Sipas të dhënave të agjencisë së monitorimit detar MarineTraffic, pothuajse një e treta e anijeve që kaluan këtë korridor strategjik gjatë ditëve të fundit përdorën rrugën detare pranë bregdetit të Omanit.

Nga e premtja deri të dielën, nëpër ngushticë kaluan 108 anije, ndërsa 30 prej tyre, përfshirë cisterna të naftës dhe gazit të lëngshëm (LPG), zgjodhën korridorin pranë Omanit. Të dhënat tregojnë se të premten kaluan 43 anije, të shtunën 34 dhe të dielën 31./A.K/

Exit mobile version