Ditë pas dite, në qytet pas qyteti, një oficer policie dhe prokuror shkojnë derë më derë në rajonin Kherson të Ukrainës.
Duke shkelur rrugët me baltë, duke kaluar shtëpitë e dëmtuara nga goditjet e artilerisë, ata kërkojnë informacione.
Nënë e bijë dalin në oborrin e tyre. “Ne po kërkojmë krime seksuale”, thotë prokurori, Oleksandr Kleshchenko.
Deri në fillim të tetorit, kjo zonë e vendit ishte e pushtuar nga trupat ruse. Makinat e djegura janë gjithandej. Shkronja “Z” – një simbol i përdorur nga forcat ruse – është poashtu gjithandej në mure.
Plagët e luftës janë thellë aty. Rusia ka përdorur dhunën seksuale si një “armë lufte” – një “strategji ushtarake” e qëllimshme – në pushtimin e Ukrainës, kanë thënë hetuesit e Kombeve të Bashkuara.
Autoritetet ruse kanë mohuar akuzat për krime lufte në Ukrainë.
Në dy javë punë në rajonin Kherson, ekipi nga Kievi ka dokumentuar gjashtë akuza për sulme seksuale. Numri real është me siguri shumë më i lartë, thonë ata.
Tatiana, 56 vjeç, thotë se ajo është një nga viktimat. CNN po fsheh mbiemrin e saj dhe të fshatit të saj për të mbrojtur identitetin e saj.
Duke ecur mbi xhamin e thyer, ajo na tregon në shtëpinë e vëllait të saj, ku thotë se dy ushtarë rusë kaluan me forcë nga dera e saj më 26 gusht.
“Ata shëtisnin nëpër ato dhoma”, thotë ajo. “Njëri mbeti aty dhe tjetri që më përdhunoi, hyri këtu. Ai hyri, eci pak nëpër dhomë dhe këtu në këtë vend, filloi të më prekte”.
“I thashë: “Jo, jo, nuk jam në moshën që mund të të jap diçka, kërko vajza më të reja”.
Ai e lidhi atë në gardërobë, thotë ajo, dhe ia grisi rrobat. “Po qaja, duke i’u lutur të ndalonte, por pa sukses”, thotë ajo. “I vetmi mendim që kisha ishte të qëndroja gjallë”./UBTNews/