Përfaqësues të partive opozitare nga Kosova dhe zyrtarë nga Shqipëria kanë kërkuar anëtarësimin e Kosovës në NATO, gjatë Forumit për Sigurinë të mbajtur në Capitol Hill, në Kongresin Amerikan.
Në këtë forum, ku morën pjesë kongresistë dhe diplomatë amerikanë, u theksua se integrimi i Kosovës në Aleancën Veriatlantike është domosdoshmëri për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Kosova është e gatshme për anëtarësim në NATO dhe se koha për këtë hap është tani.
“Porosia ime në Kongresin Amerikan, në kuadër të Forumit Ndërparlamentar të Sigurisë në Capitol Hill, ishte e shkurtër: ‘Koha është tani’. Kosova ka implementuar planin dhjetëvjeçar për zhvillimin e Ushtrisë së saj, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai.
Tutje, Haradinaj u shpreh se ushtria e Kosovës, ashtu si edhe institucionet e tjera të sigurisë, bazohen në standardet e NATO-s dhe të SHBA-së.
Ai shtoi se Kosova është e gatshme të kontribuojë në fushën e sigurisë dhe për anëtarësim në NATO.
Kërkesë të njëjtë ka shprehur edhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ish-ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës.
“Në fjalën time në Capitol Hill kërkova që Kosova të anëtarësohet në NATO. Siguria e Ballkanit është sot çështje kyçe e sigurisë evropiane”, ka shkruar Hoxhaj.
Në këtë forum ka marrë pjesë edhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, i cili ka kërkuar anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke e cilësuar rajonin si një hapësirë gjeopolitike të ndjeshme ndaj kërcënimeve hibride dhe ndërhyrjeve të huaja.
“Ballkani Perëndimor mbetet i ndjeshëm në aspektin gjeopolitik, i ekspozuar ndaj përpjekjeve të huaja për të minuar stabilitetin, për të dobësuar institucionet demokratike dhe për të shkatërruar besimin te rruga Euro-Atlantike. Ky realitet kërkon vigjilencë, qëndrueshmëri dhe qartësi strategjike. Integrimet euroatlantike dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO janë të domosdoshme për sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, ka thënë ai.
Pjesë e Forumit për Sigurinë kanë qenë edhe deputetë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, si dhe një numër i madh kongresistësh dhe diplomatësh amerikanë.
E.A.
