Fakulteti Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT, për nder të 5 qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Mjedisit, ka mbajtur një forum online, ku është diskutuar për mjedisin biofizik natyror të ajrit, të tokës, të ujërave, larminë e ekosistemeve biologjike, shëndetin e njeriut, si dhe për vlerat dhe trashëgimitë kulturore, shkencore, fetare e shoqërore.
Pjesëmarrës në këtë forum ishin profesorë, përfaqësues nga institucione të nivelit qendrorë dhe lokal, organizata joqeveritare, kompani private, studentë dhe pjesëmarrës të tjerë.
Në këtë forum, u diskutua rreth rëndësisë që ka mbrojtja dhe ruajtja e mjedisit, që duhet të jetë një nga prioritetet e para, teksa u përçua mesazh ndërgjegjësimi dhe veprimi për ruajtjen e mjedisit.
Nga ky forum u konkludua se mjedisi duhet trajtuar qysh nga niveli fillor, duhet bërë më shumë investime dhe projekte për mbrojtjen e mjedisit, me zbatim të ligjit dhe forcim të kapaciteteve inspektuese, si dhe bashkëpunim dhe koordinim në zhvillimin e projekteve për mbrojtjen e mjedisit.