UBT News

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas kërkohet siguri për gratë në vend

Në ditën e gruas kolektivi “Marshojmë s’festojmë”, ka protestuar kundër vrasjeve të grave. Me ngjyrë të kuqe janë lyer dyert e Pallatit të Drejtësisë dhe me mbishkrimin “Edhe sa gra të vrara?”. Nga institucionet u kërkua llogari për të gjitha viktimat dhe siguri për gratë në vend.

Marshi ka nisur nga ora 10:00 me thirrje e pankarta “Vrasja e grave është urgjencë kombëtare”, “Edhe sa thirrje të humbura” dhe “Çdo ditë është 8 mars”.

Vlora Gashi nga kolektivi “Marshojmë s’festojmë” ka akuzuar institucionet e drejtësisë për vrasjet e grave. Nga aty ajo tha se pikërisht në këtë ditë duan të kthejnë vëmendjen për gratë e vrara nga burrat.

“Nuk do ketë siguri e drejtësi për gratë, ne e dimë se përderisa ka gjykatës, prokurorë e institucione që besojnë se gratë meritojnë të ngacmohen, përdhunohen, rrihen e vriten për asnjë nga ne nuk mund të ketë siguri e qetësi. Andaj këtë 8 mars ne duam ta kthejmë vëmendjen tek zinxhiri i kalbur patriarkal i drejtësisë, kjo pasi që këto institucione po i vrasin gratë njëherë duke mos i dalë në ndihmë sa janë gjallë e po i vrajnë për së dyti duke u dhënë dënime të ulëta vrasësve”, tha ajo.

Gashi nga institucionet kërkoi drejtësi për gratë e vrara, meqë shprehet se nuk do heshtin duke kërkuar ndëshkime për institucionet.

“Ne sot kërkojmë llogari nga secili institucion për të gjitha ato gratë e vrara e theksojmë se për asnjërin nga ne nuk do ketë qetësi derisa të arrihet drejtësia për gratë e vrara e të garantohet siguria e pabarazia për të gjitha ne. Ne nuk do të heshtim, por do të kërkojmë llogari e ndëshkime për të gjithë ata zyrtarë e institucione që çdo ditë po e tregojnë që nuk janë aty për t’i mbrojtur gratë”, theksoi ajo.

Që nga viti 2018 në vend janë vrarë 48 gra nga burrat. Rasti i fundit ka ndodhur në Llaushë të Skenderajt, Lirije Qerimaj që jetën ja mori bashkëshorti.

Për vrasjen e grave është protestuar edhe në Obiliq, Mitrovicë, Pejë, Rahovec dhe Gjilan. 

Exit mobile version