Ambasada Amerikane në Kosovë, në përkujtim të 12 Qershorit, ditës kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë, theksoi se kjo ngjarje përbën një moment kyç që hapi rrugën drejt paqes dhe mundësoi kthimin e familjeve të zhvendosura.
Në mesazhin e saj, ambasada nderoi qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës dhe angazhimin e përbashkët për një të ardhme të sigurt dhe paqësore.
“Sot bëhen 26 vjet nga hyrja e forcave të NATO-s në Kosovë, duke sjellë shpresë, siguri dhe një rrugë drejt paqes. 12 qershori i vitit 1999 ishte një pikë kthese – ajo që lejoi familjet e zhvendosura të ktheheshin dhe komunitetet të fillonin rindërtimin. Në këtë përvjetor, ne nderojmë qëndrueshmërinë e popullit kosovar dhe përkushtimin tonë të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme të bazuar në paqe, siguri dhe prosperitet.”
Më 12 qershor 1999, pas përfundimit të fushatës ajrore, forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO, KFOR, hynë në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës.