UBT News

Në Ditën Botërore të Mjekut Familjar ofrohet mbështetje për mantelbardhët

Në Ditën Botërore të Mjekut Familjar u ofrua mbështetje në fuqizimin e shërbimeve shëndetësore në Kujdesin Parësor Shëndetësor, derisa u theksua nevoja për shtim të stafit mjekësor në këto njësi.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha u shpreh se Mjekimi Familjar ka ndihmuar në menaxhimin e pandemisë dhe në rezultatet e mira për procesin e vaksinimit kundër COVID-19.

Berisha tha se është hera e parë pas 20 vitesh që është rritur granti specifik për mjekësinë familjare për 30%, dhe nga viti i ardhshëm në Kujdesin Parësor do të jenë të punësuar 299 punëtorë shëndetësorë.

“MSh përkatësisht Qeveria e Kosovës është e përkushtuar dhe po ndërmerr hapa të nevojshëm për të fuqizuar në praktik implementimin e konceptit të mjekësisë familjare duke filluar edhe me plotësimet e nevojshme në legjislacionin e shëndetësisë për vitin 2022… Është hera e parë që pas 20 vitesh është krijuar një formulë e veçantë për gratin specifik dhe së bashku me departamentin për kujdesin parësor shëndetësor… kemi punuar që granti specifik të rritet në vitin 2023 për 30%. Nga 62 milionë sa ka qenë në 2022, granti specifik për kujdesin parësor do të ketë rreth 80 milionë. Çka nënkupton kjo se kemi përdorur të ekipës familjare mjekëve dhe infermierëve dhe vitin e ardhshëm do të jenë plus 299 punëtorë shëndetësorë mjekë familjarë dhe mjekë të përgjithshëm dhe infermierë të punësuar në Republikën e Kosovës”, theksoi ai.

Kurse, Nicu Fota, udhëheqës i projektit “AQH” Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor tha se ky projekt është i shpërndarë në 20 komuna dhe mbështet përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në kujdesin parësor shëndetësor.

“Mbështet përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në kujdesin parësor shëndetësor. Pas të gjitha këtyre projekteve në kujdesin parësor shëndetësor në Kosovë, ne kemi vetëbesim të përmendim progresin që është bërë në mjekësinë familjare dhe mund të nënvizojmë rolin e rëndësishëm që luajnë mjekët familjarë… Projekti mbështet të gjitha palët në kujdesin parësor shëndetësor për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve që u ofrohen pacientëve në kujdesin parësor shëndetësor, të të gjitha komuniteteve që marrin shërbime nga institucionet e kujdesit parësor shëndetësor, pra i gjithë ky progres, dhe të gjitha këto arritje nuk do të ishin të mundshme pa kontributin e madh të ekipeve të mjekësisë familjare dhe mjekëve të mjekësisë familjare në kujdesin parësor shëndetësor”, u shpreh ai.

Kurse, Albana Shabani nga Divizioni i Kujdesit Parësor Shëndetësor teksa foli për punën që bëjnë profesionistët shëndetësor në mjekësin familjare u shpreh se në këto institucione duhet të shtohet numri i stafit mjekësor. Ajo tha se të jesh mjek familjar është nder dhe përgjegjësi sepse je porta e parë për mirëqenien dhe mbrojtjen e pacientëve.

“Koncepti i mjekësisë familjare konsiston që të gjithë banorëve tu ofrojë shërbime shëndetësore gjithpërfshirëse, efikase dhe në vazhdimësi individit dhe familjes në të gjitha fazat e jetës bazuar në të dhëna shkencore përmes mjekut familjar si mjek i përzgjedhur i cili do të jetë portë hyrëse për të gjithë kërkuesit e shërbimeve në sistemin shëndetësor dhe njëherësh pikë referuese për specialistët konsultat në kujdesin parësor shëndetësor dhe nivelet tjera shëndetësor… Që nga viti 2000 e deri më tani janë përafërsisht 800 specialistë të mjekësisë familjare të cilët e kanë përfunduar, fillimisht kanë qenë gjenerata që qenë specializimi njëvjeçar tani është një specializim 3-vjeçar me pjesën e nivelit spitalor dhe kujdesin parësor shëndetësor. Por sot në vendin tonë janë të punësuar përafërsisht 550 mjek familjar që për të arritur standardin për të mbuluar shërbimet për popullatën e ekipës mjekësisë familjare një mjek në 2 mijë banor nevojitet edhe një numër i madh i mjekëve. I kemi 84 specializantë në vitin e dytë por ende kemi shumë punë për të bërë”, theksoi ajo.

Dita Botërore e Mjekut Familjar për herë të parë në Kosovë ka nisur të festohet nga viti 2021.

Exit mobile version