UBT News

Në ditën botërore të mësuesit, Nagavci uron mësimdhënësit

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, i ka uruar mësimdhënësit në ditën botërore të tyre.

Nagavci në letrën e urimit shkruan se muaji i fundit s’ka qenë i lehtë dhe se është e vetëdijshme për gjendjen aktuale në arsim.

“Jam shumë e vetëdijshme për gjendjen aktuale në arsim, e kam përjetuar në të gjitha nivelet, dhe kjo ka bërë që në secilën punë time, nga angazhimi im si deputete dhe sot si ministre, që nga dita e parë në zyret e Ministrisë së Arsimit kemi filluar dhe po vazhdojmë të marrim nisma e vendime që do të çojnë ligjërisht dhe praktikisht në një gjendje më të mirë në të gjitha nivelet e arsimit” – ka shkruar ajo.

Ministrja Nagavci ka shtuar se do të jenë bashkë, në përballje me gjithë pengesat, me vullnetin e hekurt dhe me besimin që të arrimë bashkë rezultatet që duam, ta fisnikërojmë edhe më tutje profesionin e mësuesit.

Shkrimi i plotë:

Muaji i fundit s’ka qenë i lehtë. Edhe një herë, mësuesit ishin protagonistët, të mbështeturit e të kritikuarit. E kam ndjerë bashkë me ju shqetësimin e situatës së fundit me grevën. Jam shumë e lumtur të shoh vullnetin e shumicës prej jush për fillim të vitit mësimor, ky vullnet ishte aty edhe në fillim të shtatorit dhe përgjatë gjithë grevës. Pasioni dhe përkushtimi juaj për mësimdhënie shkon përtej çdo ndikimi e presioni. Për këtë ju jam falënderuese!

E dashur mësuese, i dashur mësues, ti do të gjesh forcën, zërin, vullnetin për progres, për vete, për nxënësit, për vendin. Andaj dhe jemi e do të jemi bashkë, në përballje me gjithë pengesat që kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi, me vullnetin e hekurt dhe me besimin që të arrimë bashkë rezultatet që duam, të fisnikërojmë edhe më tutje profesionin e mësuesit. Sepse mësuesi ka dinjitet, dinjitetin që e krijon vet, që edhe po deshi t’ia marr e humb dikush s’mundet. Ashtu sikur nuk mund të marrësh shkëlqimin e syve të fëmijëve, që ndjejnë e vlerësojnë njerëzoren, dashurinë, përkrahjen e mësuesit.

Kisha fatin të jem vajzë e dy prindërve mësues, e rritur e rrethuar me libra e fletore pune, me grumbuj të fletoreve të nxënësve. Më tingëllojnë akoma të gjalla bisedat e nënës e babait, për planifikimet, mbaj mend si sot se si ndjeheshin krenar me hartimet e bukura të nxënësve të tyre, me detyrat e sukseset e tyre, si i trajtonin nxënësit e tyre, njëjtë me ne, fëmijët e tyre. Jam e bindur se i kanë kujtimet e përafërta fëmijët e të gjithë mësuesve, se njëjtë është situata në çdo familje mësuesish, me planifikime, konsultime, përpjekje për më shumë e më mirë në punën e përditshme.

Si mësuese kështu i rrita dhe unë fëmijët e mi. Kështu kalova gjithë jetën time, e rrethuar me mësues, me mësues të jashtëzakonshëm, që më formësuan, që i kisha model, që vazhdoj t’i kujtoj me respekt të veçantë. Ju uroj të gjithë fëmijëve të kenë fatin të udhëhiqen nga mësues të tillë.

Jam shumë e vetëdijshme për gjendjen aktuale në arsim, e kam përjetuar në të gjitha nivelet, dhe kjo ka bërë që në secilën punë time, nga angazhimi im si deputete dhe sot si ministre, që nga dita e parë në zyret e Ministrisë së Arsimit kemi filluar dhe po vazhdojmë të marrim nisma e vendime që do të çojnë ligjërisht dhe praktikisht në një gjendje më të mirë në të gjitha nivelet e arsimit.

Si ministri jemi maksimalisht të angazhuar në rregullimin e sektorit të arsimit, të cilin e kemi gjetur me shumë mangësi në të gjitha hallkat e funksionimit të saj, që ndër vite, është prekur pothuajse më së rëndi dhe pasojat po i vuajmë ende. Dhe padyshim, fajtorët nuk janë të panjohur. I dini ju, të nderuar mësues, po aq mirë, sa secili nga ne.

Prandaj, prioriteti ynë është të përmirësojmë cilësinë në arsim, duke rregulluar infrastrukturën ligjore dhe fizike, e këtë po e dëshmojmë me vullnetin dhe punën tonë të përditshme. Rritja e merituar e pagës e propozuar në ligjin për paga është dëshmi e përkushtimit tonë ndaj jush. Edhe rritja e përshkallëzuar e pagës sipas performancës është përgjigjja jonë për nxitje për punë të mirë. Mësimdhënia meriton kompensim të dinjitetshëm dhe kjo do të jetë e garantuar.

Puna juaj e madhe në arsimim të gjeneratave nuk mund dhe nuk guxon vihet në pikëpyetje nga askush. Mësimdhënia nuk është e lehtë, por puna me nxënës është përgjegjësi, dhe këtë përgjegjësi ua kemi besuar juve.

Të dashur mësimdhënës, duhet të fitojmë betejën e madhe për një mësimdhënie cilësore, ky është e duhet të jetë mbi të gjitha preokupimi jonë i përbashkët, kjo është përgjegjësia jonë e përbashkët ndaj fëmijëve, qytetarëve e vendit. Jam e vetëdijshme që kjo kërkon shumë punë, shumë energji e vullnet nga të gjithë, shumë përkrahje për ju në rrugëtimin e juaj të përditshëm në ballafaqim me përgjegjësinë e edukimit të brezave.

Andaj jemi pranë jush e në përkrahje tuaj, në përmbushje të nevojave dhe në rritje të llogaridhënies në interes e për fëmijët tanë.

Dita Botërore e Mësuesit, 5 tetori, e shpallur nga UNESCO në vitin 1994, u zgjodh me shkas, pasi në vitin 1966 u bë një hap i rëndësishëm për statusin e mësuesit, me vendosjen e standardeve në lidhje me të drejtat e mësuesve. Dita e Mësuesit synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e rolit të mësuesit në të gjithë botën.

Le të jemi dhe ne bashkë në respektim të standardeve më të larta, në përmbushje të besimit të shoqërisë për mirë edukimin e fëmijëve, për progresin e të gjithëve.

Ju faleminderit nga zemra për përkushtimin tuaj të vazhdueshëm. Urime dita juaj!

Exit mobile version