Ka zhvilluar punimet Akademia Ndërkombëtare Verore e Edukimit, në kuadët të “UBT Global Fest 2021” në të cilën morën pjesë ekspertë dhe qindra pjesëmarrës, të interesuar për sfidat, metodat dhe arsimin e së ardhmes.
Në hapje të kësaj akademie, profesoresha Alma Lama mbajti ligjëratë tematike më titull “Teaching and Learning in Digital Era”, teksa për pjesëmarrësit foli për mënyrat e të mësuarit në epokën digjitale dhe ndikimin e madh që ka për edukimin e gjeneratave të reja, ndërkaq profesoresha Fatbardhë Qehaja ka vazhduar diskutimin përmirësimin e performancës së studentëve në lexim, teksa Arijana Zhubi ka folur lidhur me menaxhimin e sjelljes agresive të studenteve në klasa në shkolla të mesme të ulëta.
Dita e dytë e Akademisë Ndërkombëtare Verore të Edukimit filloi me ligjëratën interaktive të ligjërueses Syzane Sllamniku e cila diskutoi gjerësisht rreth mendimit kritik në kujdesin e hershëm të fëmijëve, ndërsa ligjëruesja Afrore Lila për pjesëmarrësit ka folur lidhur me kërkimin e veprimit si metodë praktike e kërkimit për klasa dhe shkolla.
Akademia Ndërkombëtare Verore e Edukimit, është përmbyllur me ligjëratën e profesorit Fariz Farizi, rreth mësuesve si udhëheqës në klasë, si dhe mënyrës së organizimit të mësimit me studentët dhe nxënësit.
ANV e Edukimit ditëve në vijim do të vazhdojë me ligjërata të tjera me interes në kuadër të festivalit më të madh të dijes së “UBT Global Fest 2021”.