Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një aksion në rajonin e Pejës, me ç’rast u arrestuan 11 persona të dyshuar për përfshirje në veprën penale ‘importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi ndërmjetësim ose shitja e paautorizuar e armeve apo materialeve plasëse’.
Policia njofton se gjatë këtij operacioni policor, janë kontrolluar shtëpi dhe objekte përcjellëse në 10 lokacione të ndryshme. Hetuesit e DHKO-së janë përkrahur nga njësitet policore: Njësia Speciale Operative (NJSO), Njësia me qenë -K9 dhe dy njësi të Stacionit Policor Pejë.
“Gjatë operacionit janë arrestuar njëmbëdhjetë të dyshuar: B.M. (1977, m/k), S.R. (1975, m/k), I.R. (1954, f/k), B.U. (1981, m/k), S.K. (1968, m/k), F.P. (1970, m/k), A.C. (1978, m/k), A.F. (1983, m/k), K.S. (1974, m/k), A.S. (1964, m/k) dhe B.H. (1955, m/k). Kurse, i dyshuari P.M. (1984, m/k), nuk është hasur nga policia dhe mbetet në kërkim policor.”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjatë kontrollit, si prova materiale janë gjetur dhe sekuestruar: 3 (tre) armë të gjata gjysmë-automatike, 6 (gjashtë) armë të vogla, 2 (dy) karikatorë, 1 (një) dylbi, 180 fishekë (kalibër të ndryshëm), 2000 (dymijë) euro, 2 (dy) vetura dhe 12 (dymbëdhjetë) telefona mobil.”, thuhet në njoftim.
Me aktvendim të prokurorit kompetent, njëmbëdhjetë të dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë.