Sot shënohet 82-vjetori i lindjes së intelektualit, filozofit dhe veprimtarit të shquar Ukshin Hoti. Me këtë rast, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka organizuar një sërë aktivitetesh përkujtimore, kulturore dhe akademike në Krushë të Madhe, për të nderuar figurën e tij dhe për të rikujtuar angazhimin e pandalshëm për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së tij.
Në orët e paradites, familjarë, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë vizituan Shtëpinë Muze të Ukshin Hotit, duke sjellë homazhe dhe kujtime për jetën dhe veprën e tij. Më pas, në po të njëjtin vend, u mbajt një tribunë ku u diskutua mbi kontributin e tij filozofik, politik dhe kombëtar.
Në kuadër të aktivitetit përkujtimor, gjatë ditës u mbajt edhe një ceremoni për nder të ditëlindjes së tij, ku pjesëmarrësit ritheksuan domosdoshmërinë për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit, i cili u zhduk në mënyrë misterioze në vitin 1999, pas lirimit nga burgu i Dubravës.
Në orët e mbrëmjes, do të hapet një ekspozitë me fotografi të rralla që dokumentojnë jetën e tij dhe angazhimin për çështjen kombëtare. Aktivitetet përmbyllen me ceremoninë e ndarjes së dekoratës komunale “Ukshin Hoti”, një simbolikë nderimi për figurat që kanë lënë gjurmë në historinë dhe ndërgjegjen kolektive të vendit.