Në dritën e respektit Komuna e Obiliqit nderoi sot dhjetë dëshmorët e familjes Rama në 25-vjetorin e vrasjes së tyre nga forcat serbe, në kohën kur NATO kishte nisur bombardimet 78-ditore ndaj Serbisë.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi tha se familja Rama i ka dhënë Kosovës djemtë më të mirë, të cilën luftuan për liri. Ai shtoi se duke kujtuar dëshmorët e kombit ne të gjithë e nderojmë vetveten.
“Familja Rama si shumë familje tjera shqiptare i dhanë Kosovës djemtë më të mirë, të cilët me heroizmin e tyre të pashoq luftuan deri në fund për realizmin e idealin e çlirimit, Agroni, Faruki , Alberti shndërruan vatrën e shtëpisë së tyre në bazë të sigurt të armatimit për të gjithë bashkëluftëtarët e kësaj zone… Familja ka sot dhembje, por aq edhe krenari, sepse fal gjakut të bijave dhe bijve të tyre sot udhëhiqen gjenerata e reja rriten në liri, gjaku ujë nuk bëhet, por forca e forcon lart përmendoren e ardhmërisë. Duke kujtuar të kaluarën tonë të lavdishme, ne nderojmë të ardhmen, duke nderuar dëshmorët e kombit e nderojmë vetveten”, tha Gashi.
Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari tha se sot kur kujtojmë dëshmorët ende ka mbetur në memorie lufta e Kosovës, teksa shtoi se krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë.
“Në kujtime të tilla për ata që dhanë jetën e tyre, dëshmorët e kombit, çdo herë na vjen në kujtesë Kosova e paraluftës së UÇK-së. Ku ishim, si ishim, të pushtuar. Përkundër asaj rezistencë masive të asaj kohe si domosdoshmëri ishte rezistenca aktive. Dhe sot këtë liri që po e gëzojmë e bëri UÇK-ja. Në marsin e krenarisë shqiptare ku janë zhvilluar betejat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës na mungojnë krerët e UÇK, të cilët duhej të ishin bashkë me ne për të shënuar këto data të rëndësishme. Ata po mbahen padrejtësisht nga Gjykata Speciale dhe mendoj se nga ky vend i themi se qëndrojnë historikisht të palëkundur”, tha Jashari.
Ndërsa, anëtari i familjes Rama, Xhelil Rama tha se dëshmorët e familjes Rama do të mbesin gjithmonë njerëz të kombit.
“Dëshmorët janë krenaria kombëtare, ata me punën, mundin dhe sakrificën guximin vazhduan rrugën me plot rreziqe dhe vazhduan në altarin e lirë. Ata janë gjithmonë njerëz të mëdhenj të kombit, kanë zemër të fortë dhe shpirt patrioti, atyre nuk i është dashur jeta pa liri, të tillë kanë qenë dëshmorët e familjes Rama”, tha Rama.
Xhevat Rama, Shqipe Rama, Suzana Rama, Xheladin Rama, Hamide Rama, Agron Rama, Faruk Rama, Albert Rama, Ismet Rama dhe Bejtush Rama, janë vrarë në shtëpitë e tyre nga forcat serbe më 27 mars 1999.