Në përvjetorin e 17-të të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, UBT ka shpërblyer 166 studentë ekselentë të të gjitha fakulteteve me bursa studimi, duke vlerësuar përkushtimin dhe rezultatet e tyre të shkëlqyera akademike. Këta studentë, të cilët kanë arritur një notë mesatare mbi 9.0, tashmë kanë siguruar një mbështetje të rëndësishme që do t’u lehtësojë rrugëtimin e tyre arsimor.
Gjatë ceremonisë së ndarjes së bursave, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e këtij shpërblimi si pjesë e angazhimit të institucionit për zhvillimin e talenteve dhe mbështetjen e studentëve më të dalluar. “Ky vendim është një shenjë e rëndësishme e përkushtimit tonë për të mbështetur studentët që janë të dalluar dhe që me punën e tyre kontribuojnë për të ardhmen e Kosovës. Në UBT, ne nuk ofrojmë vetëm edukim, por krijojmë mundësi për sukses duke i pajisur studentët me teknologjitë dhe resurset më të avancuara,” tha ai.
Përveç bursave të ndara për këta 166 studentë, UBT vazhdon të jetë një nga institucionet më të përkushtuara në mbështetjen e arsimit, duke ndarë çdo vit bursa në vlerë totale prej 1 milion e 500 mijë euro. Këto bursa u ofrojnë mundësi studimi qindra të rinjve nga Kosova dhe rajoni, duke u mundësuar të ndjekin studime të avancuara dhe të kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë.
Në këtë ceremoni, Rektori Hajrizi gjithashtu shpalli nënshkrimin e thirrjeve akademike për profesorët e UBT-së, të cilët me përkushtimin e tyre edukojnë gjenerata të tëra profesionistësh në mbi 50 fusha studimi. Ky angazhim i vazhdueshëm synon të rrisë cilësinë e arsimit dhe të krijojë mundësi të reja për punësim në nivel global.