UBT News

Ndryshimi i Kodit të procedurës penale: Lejohet gjykimi në mungesë për krime lufte

Ndryshimi i Kodit të procedurës penale që lehtëson gjykimin në mungesë për krime lufte, kaloi në Komisioni për Legjislacion.

Komisioni për Legjislacion ka shqyrtuar dhe e ka miratuar me 10 vota për kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për shqyrtim me urgjencë të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Nr. 04/L-123 të Procedurës Penale i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr.06/L-091.

Në kohën e votimit anëtari i Listës Serbe Ljubinko Karadziq e ka lëshuar mbledhjen.

Adnan Rrustemi, kryesues i këtij komisioni nga LVV tha se përgjegjësia për krimet e luftës në Kosovë nuk është adresuar asnjëherë në mënyrë adekuate.

“Procesi vështirësohet çdo herë e më tepër ndërkohë që drejtësia vonohet. Secili prej nesh e kupton rëndësinë e ndryshimit të këtij ligji. Ju ftoj ta miratojmë këtë kërkesë janë tre nene”, tha Rrustemi.

Blerta Deliu Kodra tha se kjo qasje e ndryshimit ad hoc është qasje jo profesioniste e jo e duhur.

“Tani me urgjencë e kemi këtë ndryshim jashtë procedurave të rregullta. Konsideroj se nuk duhet të kemi nguti”, tha ajo.

Rrustemi u kundërpërgjigj se nuk ka pritur që çështja e adresimit të krimeve të luftës në Kosovë t’i ndaj.

“Më vjen keq për këtë diferencim në qëndrim. Ne tashmë jemi vonë kemi humbur 20 vjet për ti nxjerr para drejtësisë kriminelët që kanë bërë krime në Kosovë”, tha Rrustemi.

Deliu Kodra tha se nuk është mirë të keqpërdoret foltorja.

“Lëshimet që i keni bërë ju si LVV na kanë sjellur këtu”, tha ajo.

Ndërkaq Rrustemi i tha Deliut se “Ne jemi këtu për shkak të keq qeverisjes tuaj”.

Besnik Tahiri tha se për këtë temë nuk kanë se çfarë të flasin dhe AAK është për.

“Për këtë temë duhet të jemi të kujdesshëm në gjuhë dhe të ecim para”, tha Tahiri.

Ky komision ka diskutuar lidhur me aktivitetet e Komisionit.

Në mungesë të programit legjislativ komisioni nuk ka mundur që ta bëjë planin e punës dhe kanë diskutuar për ditën të cilën do ta mbajnë mbledhjen e rregullt.

Exit mobile version