Përmirësimi i dietës ushqimore mund t’ju shtojë deri në 13 vite jetë. Ky është përfundimi i një studimi të publikuar në revistën mjekësore PLOS, lidhur me mënyrën e ushqyerjes. Kërkuesit, ndër vite, kanë pranuar njëzëri se jetëgjatësia, ka një lidhje të drejtpërdrejtë me dietën ushqimore, por këtë herë ata janë të bindur se një regjim i përqendruar në ushqime të shëndetshme, mund të rrisë vitet e jetës te njerëzit.
Sipas modelit të publikuar nga studimi, çelësi konsiston në zëvendësimin e “dietës tipike perëndimore”- që ka fokusin e saj në konsumimin e mishit të kuq dhe ushqimeve të përpunuara – me një “dietë të optimizuar/mesdhetare”, e cila konsiston në ngrënien sa më pak të mishit të kuq dhe shtimin e frutave, perimeve, drithërave dhe frutave të thata.
Kështu nëse një grua fillon të hajë shëndetshëm në moshën 20-vjeçare, ajo mund të rrisë jetëgjatësinë e saj me pak më shumë se 10 vjet, ndërsa një burrë që e fillon në të njëjtën moshë, mund t’i shtojë 13 vjet jetës së tij.
Pavarësisht faktit se kjo dietë me bazë bimore është më efektive nëse fillon që në moshë të re, edhe të moshuarit mund të përfitojnë nga ky model, konkretisht nëse një grua në moshën 60-vjeçare ndryshon stilin e saj të të ushqyerit, mund të shtojë deri në 8 vite në jetën e saj, ndërsa një mashkull në të njëjtat kushte, mund të shtojë 9-10 vite.
Përfitimet më të mëdha nga dieta, rezultuan të jetë nga shtimi në regjim i fasuleve, bizeleve, thjerrëzave, drithërave, arrave, bajameve dhe stikave. Kjo pasi përveç proteinave, ato përmbajnë yndyra të shëndetshme, vitamina, minerale dhe antioksidantë, që bëjnë “mrekulli” në organizëm. Për të mos hequr plotësisht dorë nga produktet e mishit, dieta bën të mundur zëvendësimin e tij me shpendë pa yndyrë dhe peshk.