Akullnajat anembanë globit, përfshirë edhe ato të fundit në Afrikë, do të humbasin në mënyrë të pashmangshme deri në vitin 2050 për shkak të ndryshimeve klimatike, thotë Organizata e Kombeve të Bashkuara përmes një raporti.
Akullnajat në një të tretën e vendeve të Trashëgimisë Botërore të OKB-së do të shkrihen brenda tri dekadave, zbuloi një raport i UNESCO-s.
Akullnajat e fundit të malit Kilimanxharo do të zhduken ashtu si akullnajat në Alpe dhe Parku Kombëtar Yosemite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ato do të shkrihen pavarësisht nga veprimet që po i ndërmerr bota për të luftuar ndryshimet klimatike.
Raporti i cili bën parashikime bazuar në të dhënat satelitore, u publikua në periudhën kur liderët botërorë po përgatiten të takohen në Egjipt për konferencën e javës së ardhshme për ndryshimet klimatike COP27.
Rreth 18 mijë e 600 akullnaja janë identifikuar në 50 vende të Trashëgimisë Botërore të OKB-së. Ato përfaqësojnë pothuajse 10% të zonës së akullnajave të Tokës dhe përfshijnë pika të njohura turistike dhe vende të shenjta për popullsinë lokale./UBTNews/