A ju ka ndodhur ndonjëherë të ndiheni papritur sikur ju merren mend?
Këto janë vetëm disa nga simptomat që lidhen drejtpërdrejt me ndryshimet e motit.
Vapa dhe djersitja
Trupi i njeriut ka mekanizëm mbrojtës kundër temperaturave të larta: djersitjen. Ky proces ndihmon trupin të ftohet, sidomos kur ajri ka pak lagështi. Shpesh nuk e vëmë re, sepse një pjesë e djersës avullon menjëherë.
Por, kur moti është i nxehtë dhe trupi nuk është i hidratuar siç duhet, aftësia për të djersitur dobësohet. Kjo e bën më të vështirë ftohjen e trupit, duke rritur rrezikun për mbingarkesë të zemrës.
Era dhe i ftohti
Dimri sjell temperatura të ulëta e erëra të forta, që ndikojnë negativisht në organizëm. Kur trupi ekspozohet në ambiente të ftohta, humbja e nxehtësisë ndodh më shpejt, sidomos kur ka erë. Rekomandohet të visheni sipas motit, që të shmangni probleme si hipotermia apo morthi.
Presioni, migrena dhe dhimbjet e kyçeve
Ndryshimet e presionit atmosferik (të ulëta apo të larta) mund të përkeqësojnë dhimbjet tek personat me artrit.
Këto ndryshime ndikojnë edhe tek sinuset, duke shkaktuar migrena e dhimbje koke edhe te personat që nuk kanë probleme të tilla.
Në këto raste, këshillohet që të merrni masa parandaluese dhe të jeni të përgatitur.
Çfarë thithim në mushkëritë tona?
Alergjitë sezonale janë një tjetër pasojë e motit dhe ndotjes së ajrit. Shumë njerëz përjetojnë kollitje të shpeshtë, sy të skuqur apo kruarje si pasojë e polenave, mykut, pluhurit, tymit dhe grimcave të tjera të ndotjes që qarkullojnë në ajër.
Nëse jetoni në zona urbane, ekspozimi ndaj ndotjes është i pashmangshëm. Ajo që thithim kalon nga mushkëritë në gjak, duke ndikuar jo vetëm tek frymëmarrja, por edhe tek organet e tjera.
Nëse ekspozimi është i zgjatur, pasojat shkojnë përtej alergjive të lehta e kthehen në probleme serioze për shëndetin. /A.Z/UBT News/