Ndotja e ajrit shkakton vdekjen e mbi 1 mijë e 200 fëmijëve dhe adoleshentëve çdo vit në Evropë, sipas një raporti që u publikua nga Agjencia Evropiane e Mjedisit të hënën.
“Veçanërisht fëmijët janë në rrezik nga ndotja e ajrit, që nga momenti kur janë në barkun e nënës e deri kur e arrijnë moshën madhore”, thuhet në raportin e agjencisë.
“Megjithëse numri i vdekjeve të parakohshme në këtë grupmoshë është i ulët në raport me totalin për popullsinë evropiane të vlerësuar nga Agjencia Evropiane e Mjedisit çdo vit, vdekjet në moshë të hershme përfaqësojnë një humbje të potencialit të ardhshëm dhe shoqërohen me një barrë të konsiderueshme të sëmundjeve kronike, si në fëmijëri dhe më vonë gjatë jetës”, thuhet tutje në raport.
Ekspozimi ndaj ndotjes së lartë të ajrit shkakton norma më të larta të astmës, që tashmë prek 9% të fëmijëve dhe adoleshentëve në Evropë, si dhe ulje të funksionit të mushkërive, infeksione të frymëmarrjes dhe alergji.
Studimi u krye në 30 shtete, përfshirë këtu edhe 27 shtetet e Bashkimit Evropian, por nuk mbuloi vendet kryesore industriale si Rusia, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar, duke sugjeruar se numri i përgjithshëm i vdekjeve nga ndotja e ajrit mund të jetë edhe më i lartë./UBTNews/