UNICEF-i kërkon nga qeveritë të miratojnë Standardet e Cilësisë së Ajrit në përputhje me Udhëzuesin e OBSH-së për Cilësinë e Ajrit, pasi ndotja e ajrit është tani një shkak kryesor i vdekjes në mesin e fëmijëve në të gjithë rajonin.
Më tepër se 5 mijë e 800 fëmijë dhe adoleshentë në Evropë dhe në Azinë qendrore vdiqën në vitin 2019 nga shkaqe që lidhen me ndotjen e ajrit. Shumica dërrmuese – 85 për qind – vdiqën para ditëlindjes së tyre të parë, e barabartë me 90 foshnja në javë, sipas një analize të re të të dhënave të paraqitur në një dokument politikash të publikuar të enjten nga UNICEF-i.
“Kur bëhet fjalë për ndotjen e ajrit, mushkëritë më të vogla mbajnë barrën më të rëndë, duke shkaktuar dëm serioz në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve, që mund tu kushtojë atyre edhe me humbje të jetës”, tha Regina de Dominicis, Drejtoreshë Rajonale e UNICEF-it për Evropën dhe Azinë qendrore.
“Reduktimi i ndotësve të ajrit dhe reduktimi i ekspozimit të fëmijëve ndaj ajrit toksik është thelbësor për mbrojtjen e shëndetit të tyre dhe shoqërive të tyre, duke çuar në uljen e kostove të kujdesit shëndetësor, përmirësim të të nxënit, rritje të produktivitetit dhe një mjedis më të sigurt e më të pastër për të gjithë”.
Fillimi i jetës së fëmijës me ajër të ndotur: ndikimi alarmues i ndotjes së ajrit te fëmijët në Evropë dhe Azinë qendrore thekson se fëmijët e ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit kanë rrezik të shtuar të problemeve të rënda shëndetësore duke përfshirë infeksione akute të frymëmarrjes si pneumonia, veçanërisht të rrezikshme për foshnjat dhe fëmijët e vegjël.
Thithja e ajrit të ndotur shkakton dëmtime afatgjatë në mushkëritë e fëmijëve, duke çuar në rrezik të shtuar të astmës dhe sëmundjeve kronike të frymëmarrjes dhe kardiovaskulare, duke përfshirë kancerin. Ndotja e ajrit mund të çojë në çrregullime neurologjike më vonë në jetë si rezultat i dëmtimit të hershëm të trurit të fëmijëve, theksohet në dokument.
Fëmijët janë fizikisht më të ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit sesa të rriturit sepse marrin frymë dy herë më shpejt dhe shpesh nga goja, duke marrë më shumë ndotës. Ata janë shpesh më afër tokës ku grumbullohen ndotësit. Për nga aspekti fiziologjik, fëmijët janë më të prekshëm ndaj ndotjes së ajrit sesa të rriturit, sepse truri, mushkëritë dhe organet e tjera të tyre janë të ekspozuar ndaj inflamacioneve dhe dëmtimit gjatë një periudhe të zhvillimit të shpejtë, vë në theks dokumenti i politikave.
Në Evropë dhe Azinë qendrore, ndotja e ajrit – PM 2.5 dhe PM 10 – shkaktohet kryesisht nga praktikat rezidenciale dhe tregtare, duke përfshirë përdorimin e qymyrit dhe lëndëve të tjera djegëse fosile për ngrohje dhe gatim.
Për të parandaluar përkeqësimin e cilësisë së ajrit, UNICEF-i u kërkon qeverive të forcojnë politikat dhe investimet për të përshpejtuar kalimin drejt energjisë dhe transportit të pastër, efiçient në të gjithë sektorët. Kjo përfshin mbështetjen e efiçiencës energjetike dhe qasjen në energji të pastër, trajnimin e profesionistëve të kujdesit parësor shëndetësor për të kontrolluar fëmijët dhe për të zbuluar sëmundjet e lidhura me ndotjen e ajrit, si dhe përshkallëzimin dhe përshpejtimin e planeve për të reduktuar ndotjen e ajrit në nivel qendror dhe lokal.
Për të mbrojtur fëmijët nga ekspozimi, UNICEF-i u bën thirrje institucioneve të krijojnë dhe të mirëmbajnë sisteme të monitorimit të cilësisë së ajrit pranë kopshteve dhe shkollave, dhe të raportojnë informacione për publikun, duke vënë në dukje nivelet e ndotjes së ajrit që janë të rrezikshme për fëmijët dhe gratë shtatzëna.
UNICEF-i punon në vende të Evropës dhe Azisë qendrore për të mbledhur dëshmi mbi përhapjen dhe ndikimin e ndotjes së ajrit dhe ndihmon në zhvillimin dhe zbatimin e zgjidhjeve për të mbrojtur fëmijët nga ekspozimi i mëtejshëm.