Ethet e garës presidenciale në SHBA janë bërë edhe më të forta pasi demokratët kanë nisur kongresin katër ditor. Kjo është ngjarja më e madhe politike para zgjedhjeve që synon rritjen e entuziazmit tek votuesit, ndërsa fushata hyn në fazën e saj përfundimtare.
Ish-nënpresidenti Joe Biden dhe senatorja Kamala Harris do të pranojnë zyrtarisht emërimin si kandidatë për president dhe nënpresidente të enjten. Për shkak të pandemisë, kongresi po zhvillohet online.
Fjalimi kryesor, në natën e parë, u mbajt nga ish zonja e parë Michelle Obama e cila e vlerësoi Joe Biden si një njeri të aftë për të drejtuar vendin, duke kritikuar ashpër presidentin Donald Trump, për të cilin tha se i mungon aftësia për të kuptuar ndjenjat dhe vuajtjet e të tjerëve.
“Donald Trump është presidenti i gabuar për vendin tonë, ka patur mjaft kohë për ta vërtetuar këtë. Ai vepron me kokën e vet dhe nuk mund të jetë udhëheqësi për të cilin ne kemi nevojë. Joe është një njeri i jashtëzakonshëm. Ishte një nënpresident i mrekullueshëm i cili di se si të shpëtojë ekonominë, të luftojë një pandemi dhe të udhëheqë vendin tonë”, tha ajo.
Ndërsa kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, nga Minesota dhe Uiskonsin akuzoi rivalin e tij se nuk ia ka idenë që është bërë kukull e “fashistëve të së majtës”.
“Fitorja e kundërshtarëve demokratë, do të nënkuptonte kufij të hapur, kolaps ekonomik dhe katastrofa të tjera. Në Amerikën e Joe Biden-it, mbrojtjet që ofron shtetësia amerikane do të hiqeshin, komunitetet tuaja do të mbeteshin në mëshirë të turmave. Dyshja pretendente e demokratëve, Biden dhe Harris ‘janë pro krimit dhe kundër policëve’”.
Trump, për disa muaj me radhë është radhitur pas Joe Biden në sondazhet kombëtare. Sipas analistëve, ky rezultat është ndikuar ndjeshëm nga kritikat për menaxhimin e pandemisë si dhe shpërthimi i protestave “Black lives matter”, që vijojnë që nga fundi i muajit mars.