Temperatura e ambientit ka një ndikim të fortë tek shumë prej dhimbjeve të cilat manifestohen në organizëm.
Shumë prej nënave shqiptare ankohen për shembull kur prishet moti sepse dhimbjet e reumatizmës u bëhen më të forta.
Ka raste që vapa dhe temperaturat përvëluese kanë një ndikim përkeqësues, madje më të keq se i ftohtit, tek dhimbjet.
Çështje vape apo humori?
Ka ekspertë që besojnë se moti i nxehtë dhe i ftohtë ka një ndikim të fortë tek humori.
Nëse ky i fundit prishet, perceptimi i dhimbjes mund të tjetërsohet.
Ka njerëz që vuajnë nga ankthi dhe depresioni të cilët e përshkruajnë veten si të ndjeshëm ndaj motit dhe vuajnë më shumë nga dhimbjet se të tjerët.
Migrena dhe vapa
Sipas ekspertëve, ndryshimet tek temperatura mund të nxisin jo vetëm migrenën por edhe dhimbjet e kokës si pasojë e tensionit.
Për më tepër, vapa mund të shkaktojë dehidratim gjë që në vetvete është faktor nxitës për dhimbjet e kokës apo migrenën.
Temperaturat e nxehta dhe artriti
Siç e thamë edhe më lart, njerëzit që vuajnë nga osteoartriti, artriti apo reumatizma e lidhin direkt dhimbjen e tyre me ndryshimin e motit.
Shumica gjejnë një lidhje me motit të ftohtë dhe dhimbjes pork a të tjerë që thonë se dhimbjet e kyçeve bëhen më të këqija në ditët e nxehta të verës.
Ekspertët sugjerojnë se kur bëhet fjalë për motin dhe dhimbjet e kyçeve, ndryshimet në temperaturë dhe lagështi ndikojnë tek indet, tendinat dhe ligamentet.
Kontraktimi dhe zgjerimi i tyre mund të shkaktojë më shumë dhimbje, thonë ekspertët.
Si të përballeni me vapën përvëluese?
Nëse dëshironi që të parandaloni dhimbjet si pasojë e vapës, AgroWeb.org ju ofron disa këshilla krejt të freskëta për mirëqenien tuaj.
E para është që të hidratoheni sa më shumë duke pirë ujë dhe duke kufizuar alkolin dhe kafeinën. Ju duhet të qëndroni sa më shumë në hije dhe në ambient me ajër të kondicionuar.
Sa i përket veshjes, zgjidhni rroba pambuku dhe jashtë mbani kapele dhe syze. Në çantën tuaj nuk duhet të mungojë kurrë një shishe me ujë apo një freskuese.
Sa herë që të mundeni lagini kyçet me ujë të ftohtë për një freski të menjëhershme të organizmit./AgroWeb.org