Maria Pevchikh, ndihmësja e politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny ka pretenduar se një këmbim i të burgosurve – ku ka qenë i përfshirë edhe kritiku i Kremlinit – ka qenë në fazën përfundimtare para se ai të vdiste në një burg në Siberi.
Pevchikh, udhëheqëse e Fonadacionit të Navalnyt Kundër-Korrupsionit, ka thënë të hënën përmes një videoje në YouTube se ndihmësit e Navalnyt kanë punuar për dy vjet që t’i bindin zyrtarët e Perëndimit për të negociuar një marrëveshje që do të përfshinte kritikun e Kremlinit dhe dy shtetas amerikanë të mbajtur në burgjet ruse, për Vadim Krasikovin, ish-kolonelin e Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) në Rusi, i cili është dënuar për vrasje të një ish-luftëtari çeçen në Berlin më 2019.
Ajo nuk i ka përmendur emrat e dy shtetasve amerikanë që ishte planifikuar të këmbeheshin.
Aktualisht janë disa amerikanë që po mbahen në burgjet ruse, përfshirë ish-marinsin Paul Whelan, gazetarin e të përditshmes amerikane Wall Street Journal, Evan Gershkovich, dhe gazetaren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva.
Navalny do të përfshihej në marrëveshje si pjesë e një “këmbimi humanitar”.
“Në fillim të shkurtit, Putinit i është ofruar të këmbejë vrasësin e FSB-së, Vadim Krasikov, i cili është duke vuajtur dënimin për një vrasje në Berlin, për dy shtetas amerikanë dhe Aleksei Navalnyn. E kam pranuar konfirmimin se negociatat ishin në fazën finale në takimin e 15 shkurtit. Më 16 shkurt, Aleksei është vrarë”, ka thënë Pevchikh.
“Aleksei Navalny do të mund të ishte ulur me ne këtu, sot”, ka shtuar ajo.
Deklaratat e saj nuk janë konfirmuar dhe as kundërshtuar prej burimeve tjera.
I pyetur për këtë çështje më 26 shkurt, zëdhënësi i Qeverisë gjermane Christiane Hoffmann, ka thënë se nuk mund të komentojë.
Më herët gjatë këtij muaji, Putin i ka thënë komentatorit amerikan Tucker Carlson, se “një marrëveshje mund të arrihet”, për të liruar Gershkovichin, i cili është arrestuar në mars të vitit të kaluar në Rusi, nën akuzat për spiunim, të cilat ai dhe Qeveria i kanë konsideruar të pabazuara, me një “patriot” rus, që po vuan dënimin në Gjermani, dhe kjo besohet se ka qenë referencë për Krasikovin.
Wall Street Journal i ka cituar zyrtarët perëndimorë në atë kohë, të ketë thënë se Putin dëshiron që Krasikov të këmbehet për dy të burgosur amerikanë, përfshirë Gershkovichin.
Në video, Pevchikh ka dyshuar që Putin “nuk e ka toleruar” lirimin e Navalnyt dhe në vend të këmbimit “ka dashur ta heqë qafe krejtësisht”.
Ajo nuk ka dhënë dëshmi për të mbështetur pretendimin e saj.
Sipas saj, miliarderi rus Roman Abramovich ka qenë “negociator jozyrtar” në mes të Kremlinit dhe zyrtarëve evropianë.
“E kam pyetur Roman Abramovichin për kushtet dhe çfarë ka thënë Putini. Fatkeqësisht Abramovich nuk u është përgjigjur pyetjeve, por as nuk ka mohuar asgjë”, ka thënë Pevchik.
As Abramovich dhe as Kremlini nuk e kanë komentuar këtë deklaratë të saj.
Trupi i Navalyt i është dorëzuar familjes përgjatë fundjavës, një javë pasi është bërë publike vdekja e tij në burgun e ashtuquajtur “Ujku Polar” në Arktik.
Ai ka qenë duke vuajtur dënimin me burgim prej 19 vjetëve, nën akuza që ai dhe mbështetësit e tij i konsiderojnë të motivuara politikisht.
Ende nuk dihet shkaku i vdekjes së tij.
Nëna e Navalnyt i ka akuzuar zyrtarët rusë se i kanë bërë presion që të organizojë një ceremoni sekrete të varrimit për djalin e saj për të shmangur turmat e njerëzve.
Zëdhënës i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë më 26 shkurt se është “absurde” të pretendohet se familjes së Navalnyt i është bërë presion./REL