Aleatët e NATO-s duhet të fokusohen më shumë në dhënien e ndihmës për Ukrainën, në mënyrë që ajo të ndalë avancimin e ngadaltë por të qëndrueshëm të Rusisë, më tepër sesa të diskutojë format e një marrëveshjeje për paqen.
Kështu ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte në prag të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare në Bruksel.
“Gjëja më kryesore që duhet të bëjmë në këto momente është të sigurohemi që Ukraina, kurdo që të vendosë të hyjë në negociatat për paqen, ta bëjë këtë nga një pozicion force. Ukrainës nuk i duhen më shumë ide sa i takon formës së procesit të paqes”, tha Rutte.
Deklarata e Rutte vjen në një kohë kur lufta në Ukrainë, kur janë bërë më shumë se 1 mijë ditë, po përshkallëzohet për shkak të sulmeve ruse.
Gjithashtu, pjesa evropiane e NATO-s është e shqetësuar nga ardhja në pushtet e Donald Trump, i cili ka paralajmëruar se do të ndërpresë ndihmat për Ukrainën, lëvizje që mund ta detyrojë Kievin të bëjë lëshime në negociata.
Ndërkohë, presidenti Volodymyr Zelensky, në një intervistë për agjencinë japoneze të lajmeve “Kyodo” ka pranuar se Ukrainës i mungon forca për të rimarrë një pjesë të territoreve të pushtuara nga Rusia. “Në duhet të gjejmë zgjidhje diplomatike”, ka thënë Zelensky.