UBT News

Ndërtimi i hidrocentraleve në Deçan do të kushtojë 53 milionë €, u shkel Ligji për Ujërat

Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, ka publikuar raportin “Ndikimi Social i Hidrocentraleve në shoqërinë tonë”.

Dardan Bujupi, koordinatori i projektit në këtë institut, tha se hulumtimi është i bazuar nga intervistat që janë bërë në terren. Ai tha se sipas Kelkos Energy investimet për ndërtimin e tri hidrocentraleve në Deçan arrijnë shumën e 53 milionë eurove. E gjetur tjetër sipas tij, po del të jetë edhe shkelja e Ligjit për Ujëra.

“Gjatë këtij hulumtimi objekt studimi e kemi pasur Grykën e Deçanit. Hulumtimi është bazuar duke marr parasysh dy lloje të burimeve. Të gjeturat janë mbështetur në informatat e marra gjatë intervistave. Gjatë hulumtimit i kemi evidentuar disa të gjetura e njëra ndër to është shkelja e të drejtave politike. Edhe diskutimi publik ka qenë i organizuar keq duke pamundësuar pjesëmarrjen e qytetarëve. Sipas Kelkos Energy investimet për ndërtimin e tri hidrocentraleve arrijnë shumë e 53 milionë eurove. Premtimet për rimëkëmbjen mjedisore nuk janë adresuar asnjëherë dhe i është dhënë përparësi koncesionit jo transparent. Një e gjetur tjetër është shkelja e Ligjit për Ujëra ku është dhënë pa proces konkurrues”, deklaroi ai.

Belgzim Kamberi, drejtor i Bordit në Institutin për Politika Sociale “Musine Kokalari”, pati edhe disa rekomandime.

“Ne mendojmë që duhet të specifikohen detajet e debatit publik dhe të përcaktohen hapësira e cila duhet të jetë, të mbahen tri dëgjime publike për një licencë. Në rast së vendosjes licenca të jepet përmes procedurës me koncesion. Leja nga ZRrE-ja të jetë në përputhje me parimin bazë për ndërtimin e hidrocentraleve”, deklaroi Kamberi.

Exit mobile version