Raundi i katërt i bisedimeve të paqes midis Ukrainës dhe Rusisë do të mbahet të hënën, tha një këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy që është poashtu pjesë e ekipit negociator.
Bisedimet do të zhvillohen virtualisht sot, transmeton UBT News.
Në Twitter, ndihmësi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, Mykhailo Podolyak tha, “Përsëri. Negociatat vazhdojnë pa ndërprerje në formatin e videokonferencave. Grupet e punës janë duke funksionuar vazhdimisht. Një numër i madh i çështjeve kërkojnë vëmendje të vazhdueshme. Të hënën, më 14 mars, do të mbahet seanca negociuese për të përmbledhur rezultatet paraprake”.
Më parë, Podolyak dhe negociatori rus Leonid Slutsky konfirmuan se kishte përparim dhe se rezultatet mund të materializoheshin në ditët në vijim.
Ndërkohë, forcat ruse shkatërruan plotësisht 7 spitale dhe dëmtuan 104 të tjerë, thanë mediat ukrainase.
Trupat e Moskës kanë vrarë gjithashtu gjashtë persona nga personeli mjekësor ndërsa kanë plagosur rëndë 12 të tjerë që nga fillimi i luftës gjithëpërfshirëse, citoi për The Kyiv Independent ministri i Shëndetësisë, Viktor Lyashko./UBTNews/