UBT News

Ndërron jetë pionierja e të drejtave civile në SHBA, Claudette Colvin

Claudette Colvin, e cila ndihmoi në dhënien fund të segregacionit racor në ShBA duke refuzuar t’ia linte vendin e saj në autobus një personi të bardhë, ka ndërruarë jetë në moshën 86 vjeçare. 

Protesta e Colvin, e cila çoi në arrestimin e saj, ndodhi në vitin 1955 në moshën 15 vjeç, ndërsa ajo jetonte në Montgomery, Alabama.

Kjo ndodhi nëntë muaj para arrestimit të Rosa Parks, e cila gjithashtu refuzoi t’ia jepte vendin e saj në autobus një personi të bardhë, në një veprim që çoi në bojkotimin e përhapur të transportit publik në qytet dhe një vendim të Gjykatës së Lartë që e ndaloi me ligj një diskriminim të tillë racor.

Arrestimi i Colvin ishte kryesisht i panjohur deri në vitin 2009, kur u botua libri i parë i detajuar rreth përvojës së saj.

Një vit pas arrestimit të saj, Gjykata e Lartë e ShBA-së vendosi që segregacioni në autobusë duhet të marrë fund. Çështja ligjore u përqendrua në dëshminë e katër paditësve, njëri prej të cilëve ishte Colvin.

Në një intervistë me BBC-në në vitin 2018, znj. Colvin kujtoi se ajo “nuk ishte e frikësuar, por e zhgënjyer dhe e zemëruar” sepse e dinte se “ishte ulur në vendin e duhur”.

Ajo ishte personi i parë që u arrestua për kundërshtimin e politikave të Montgomery-t për ndarjen në autobusë, por historia e saj mbeti relativisht e panjohur për dekada. Ishte Rosa Parks ajo që u bë një nga figurat kryesore të lëvizjes për të drejtat civile pasi rasti i saj shumë i ngjashëm çoi në bojkotin në shkallë të gjerë të sistemit të autobusëve në qytet.

Colvin tha se ishte frymëzuar nga aktivistet e mëdha kundër skllavërisë Harriet Tubman dhe Sojourner Truth.

“Sa herë që njerëzit më pyesin: ‘Pse nuk u ngrite kur të pyeti shoferi i autobusit?’ Unë them se ndjeva sikur duart e Harriet Tubman po më shtynin poshtë në njërën shpatull dhe duart e Sojourner Truth po më shtynin poshtë në shpatullën tjetër”, i tha ajo BBC-së.

Më vonë në jetë, ajo u bë infermiere në Nju Jork. Sipas organizatës së saj, ajo vdiq në Teksas.

Exit mobile version