Një person është plagosur mëngjesin e sotëm te tregu i gjelbër në Mitrovicë, ndërsa pas trajtimit në spitalin e këtij qyteti, është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Megjithatë viktima edhe pas përpjekjeve maksimale nga stafi i Klinikës Emergjente nuk ka arritur t’i mbijetoj plagës. Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu.
“Zyra për informim e QKUK-së, ju konfirmon se përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi i Klinikës Emergjente, një person i plagosur në Mitrovicë, nuk ka arritur të mbijetojë, për shkak të plagëve që ka pasur dhe gjendjes së rënduar shëndetësore”, shtoi Fazliu.
Ndërsa lajmin për gjuajtjen me armë zjarri dhe plagosjen e një personi e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti. Ai nuk ka pranuar të flasë para kamerës me arsyetimin se nuk ka informacione të mjaftueshme, por ka bërë të ditur përmes telefonit rrethanat e përgjithshme të këtij incidenti pa dhënë detaje.
“Një person është lënduar nga arma e zjarrit të premten rreth orës 09:42 në Mitrovicë të Jugut. Rasti ka ndodhur në rrugën ‘Fatime Hetemi’ dhe se i plagosuri, i cili është i moshës madhore, është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Zahiti.
Dëshmitarët e rastit kanë rrëfyer se pak kanë parë nga ngjarja, përveç që kanë dëgjuar të shtëna zjarri, sepse siç thanë ata, gjithçka ka ndodhur shumë shpejtë.
Reshit Musaj, i cili punon në furrën krejt afër vendit ku ka ndodhur ngjarja, tha se ka dëgjuar disa të shtëna nga arma e zjarrit dhe se gjithçka është zhvilluar shumë shpejt, ndërsa gëzhojat e plumbave kanë depërtuar edhe në lokalin ku punon.
“Fillimisht kemi dëgjuar të shtëna, sepse kemi qenë duke punuar në punëtori poshtë. Kur kemi dalë lart kemi parë një person të plagosur. Ka qenë në këmbë të veta, por në shpinë ka pasur gjakderdhje… Dorasin nuk e kemi parë… Shumë shpejtë ka ndodhë, derisa kam dalë nalt e kam pa vetëm të lënduarin dhe kam pa predhat në lokal… Besoj 4-5 (të shtëna kam dëgjuar)”, theksoi Musaj.
Në anën tjetër, Gëzim Berisha, u.d. të drejtorit mjekësor në spitalin ‘Sami Haxhibeqiri’ në Mitrovicë, u shpreh se pacienti është pranuar i lënduar me armë zjarri dhe me dy plagë në gjoks. Sipas tij, gjendja e pacientit është serioze dhe pas trajtimit dhe pas marrjes së masave të nevojshme, ai është dërguar në QKUK.
“Sot në orën 09:45 në emergjencën e spitalit të Mitrovicës është sjellur një pacient i lënduar me armë zjarri me dy plagë në gjoks. I kemi marrë të gjitha masat e nevojshme reanimatore dhe pas stabilizimit të gjendjes shëndetësore, pacienti është udhëzuar në QKUK për trajtimin e tij… Gjendja është serioze, stabile ka qenë, shpresoj se do të vazhdojë mirë”, tha Berisha.