UBT News

Ndërron jetë nëna e Kris Jenner, Mary Jo Campbell, në moshën 91-vjeçare

Mary Jo Campbell, e njohur si MJ Shannon dhe nëna e Kris Jenner, ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare.

Lajmin e bëri të ditur vetë Kris Jenner përmes rrjeteve sociale, duke i kushtuar një mesazh prekës nënës së saj.

“Sot i thamë lamtumirë mamit tim të mrekullueshëm, MJ. Ajo na mësoi se familja është gjithçka, si të duam pa kushte dhe të gjejmë gëzim në momentet e vogla të jetës”, shkroi Jenner.

Shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur.

Mary Jo Campbell ishte një figurë e njohur për publikun falë paraqitjeve të saj në emisionet “Keeping Up with the Kardashians” dhe “The Kardashians”, ku fitoi simpatinë e fansave me humorin dhe këshillat e saj.

Ajo ishte nëna e Kris Jenner dhe Karen Houghton, e cila ndërroi jetë në mars të vitit 2024 në moshën 65-vjeçare.

MJ ishte gjyshja e Kim, Kourtney dhe Khloe Kardashian, si dhe e Kendall dhe Kylie Jenner. Gjatë viteve, ajo u bë një personazh i dashur i familjes Kardashian-Jenner, ndërsa fliste hapur edhe për betejën e saj të suksesshme me kancerin.

Në mesazhin e saj lamtumirës, Kris Jenner shkroi se çdo pjesë e jetës së saj është formësuar nga nëna e saj dhe se gjithmonë është përpjekur të jetojë në një mënyrë që do ta bënte krenare./BBC/A.K/

Exit mobile version