UBT News

Ndërron jetë në moshën 89-vjeçare aktorja Diane Ladd

Aktorja Diane Ladd, nëna e Laura Dern, ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare.

Lajmin e ndau vajza e saj, Laura, e cila e përshkroi nënën si “heroinë e jashtëzakonshme dhe dhuratën më të madhe të jetës sime”.

Diane vdiq në shtëpinë e saj në Ojai, Kaliforni, më 3 nëntor.

Ladd shquhej për rolet në filma si Alice Doesn’t Live Here Anymore, Wild at Heart dhe Rambling Rose, duke marrë tri nominime për Oscar dhe tri për Emmy.

Ajo nisi karrierën në televizion në vitet ’50 dhe ’60 dhe debutoi në film me The Wild Angels (1966). Roli i saj në Alice Doesn’t Live Here Anymore i solli nominimin e parë për Oscar dhe më pas çmimin Golden Globe për serialin Alice.

Diane bashkëpunoi me vajzën Laura, duke luajtur në filma si Wild at Heart (1990) dhe Rambling Rose (1991), dhe në Citizen Ruth, Inland Empire dhe serialin Enlightened të HBO-së.

Ajo u martua tre herë, përfshirë martesën me aktorin Bruce Dern, me të cilin pati dy vajza; vajza e tyre e vogël humbi jetën në moshën 18 muajshe, një tragjedi që ndikoi thellë në jetën e familjes.

Laura Dern ka folur më vonë për vështirësitë e rritjes së saj pas humbjes së motrës së vogël dhe për përpjekjet e Diane për ta mbështetur si prind i vetëm.

Diane Ladd mbetet një ikonë e Hollywood-it e figurë e dashur për publikun për talentin dhe përkushtimin e saj në art dhe familje. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version