UBT News

Ndërron jetë Naser Shala, ushtar i hershëm i Brigadës 121

Pas një sëmundjeje të shkurtër, ka ndërruar jetë Naser Bislim Shala, i njohur me nofkën “Ftyra”, një nga ushtarët më të hershëm të Brigadës 121 “Ismet Jashari – Kumanova”.

Lajmin për ndarjen nga jeta të tij e ka bërë të ditur familjari i tij, Fatmir Surdhaj, përmes një postimi në rrjetet sociale. Në njoftim thuhet se Shala ishte ndër ushtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i organizuar së bashku me Mujë Krasniqin dhe Rexhep Selimin, dhe bashkëluftëtar i komandant Ismet Jasharit, Fatmir Limës, Haxhi Shalës, Ajet Kastratit dhe shumë të tjerëve.

Gjatë luftës, Shala kreu detyra të rëndësishme në organizimin ushtarak të njësive të UÇK-së dhe njihej për përkushtimin dhe heroizmin e tij në vijat e para të frontit. Me besnikëri dhe dashuri ndaj shokëve të armëve, ai la pas një kontribut të çmuar në luftën për liri.

“Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës. E ke kryer detyrën ndaj atdheut me përkushtim, sipas edukimit të Nanës Qamile dhe Dajës Bislim, të cilët ranë dëshmorë më 1998”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e ngushëllimit.

Exit mobile version