UBT News

Ndërron jetë aktori nigerian Alexx Ekubo pas betejës me kancerin

Aktori i njohur nigerian Alexx Ekubo ka ndërruar jetë të hënën në një spital privat në Lagos, pas një beteje me kancerin, ka njoftuar familja e tij.

Sipas deklaratës së publikuar në llogarinë e tij në Instagram, aktori 40-vjeçar ka vdekur si pasojë e komplikimeve nga “kanceri i avancuar metastatik në veshkë”.

Familja ka bërë të ditur se ai ishte përballur me një “betejë të shkurtër, por të guximshme”, duke theksuar se gjatë gjithë kohës ai kishte ruajtur forcën, besimin dhe shpresën.

Lajmi për vdekjen e Ekubos është pritur me tronditje në industrinë e filmit në Nigeri, të njohur si Nollywood, ndërsa kolegë, fansa dhe figura publike kanë shprehur ngushëllimet e tyre në rrjete sociale. Aktori ishte i njohur për rolet e tij në filmin “Weekend Getaway” dhe paraqitjen në videoklipin e këngës “Johnny” të Yemi Alade. Gjatë karrierës së tij ai ka fituar disa çmime dhe vlerësime për kontributin në industrinë e filmit dhe në aktivitete humanitare.

Ekubo e nisi karrierën në vitin 2005 me filmin “Sinners in the House”, ndërsa u bë i njohur gjerësisht pas pjesëmarrjes në garën Mr Nigeria në vitin 2010. Ai kishte studiuar drejtësi në Universitetin e Calabar-it.

Gjatë karrierës së tij, ai ka marrë disa çmime të rëndësishme, përfshirë Best Supporting Actor, Best Actor of the Year dhe Best Lead Actor, si dhe vlerësime ndërkombëtare për ndikimin e tij në industrinë e argëtimit.

Familja e tij ka kërkuar privatësi dhe lutje gjatë kësaj periudhe zie, ndërsa mesazhe ngushëllimi kanë ardhur edhe nga kolegët e tij në Nollywood.

Exit mobile version