UBT News

Ndërron jetë Afrika Bambaataa, një nga themeluesit e hip-hopit, në moshën 68-vjeçare

Afrika Bambaataa, një nga figurat themeluese të kulturës hip-hop, ka ndërruar jetë në moshën 68-vjeçare, ka konfirmuar organizata Hip Hop Alliance.

Në një deklaratë, organizata e ka cilësuar Bambaataan si një nga emrat që ndihmuan në formësimin e një “lëvizjeje globale të bazuar në paqe, unitet, dashuri dhe argëtim”, duke vlerësuar rolin e tij në zhvillimin e hip-hopit si zhanër muzikor dhe fenomen kulturor.

I lindur si Lance Taylor në Bronx, ai u rrit gjatë periudhës së lëvizjes për të drejtat e komunitetit afro-amerikan. Në vitin 1973, ai bashkëthemeloi Universal Zulu Nation, një organizatë ndërkombëtare e vetëdijes hip-hop që synonte kanalizimin e rinisë drejt krijimtarisë dhe larg dhunës.

Në vitin 1982, kënga e tij “Planet Rock” i solli famë botërore dhe konsiderohet si një nga projektet që formësuan zhvillimin e hip-hopit në vitet ’80. Gjatë karrierës së tij, ai bashkëpunoi me emra të njohur si James Brown dhe John Lydon, si dhe mori pjesë në projekte me mesazh politik, përfshirë këngën kundër aparteidit “Sun City” në vitin 1985.Megjithatë, në vitet e mëvonshme, reputacioni i tij u shoqërua me akuza për abuzim seksual dhe trafikim të të miturve, të cilat ai i ka mohuar vazhdimisht. Në vitin 2016 ai u tërhoq nga drejtimi i Universal Zulu Nation, ndërsa në vitin 2025 humbi një proces civil pasi nuk u paraqit në gjykatë.

Hip Hop Alliance ka theksuar se këto akuza e kanë ndërlikuar trashëgiminë e tij artistike, e cila vazhdon të jetë temë diskutimi brenda komunitetit muzikor.

Exit mobile version