Ka ndërruar jetë Ali Sadriu. Ai ishte ministri i parë i financave i Kosovës së pasluftës. Në periudhën kur Kosova ndërtoi sistemin financiar të vetin.
Njoftimin për vdekjen e tij e ka bërë bashkëpunëtori i tij, Besnik Osmani.
Postimi i plotë i Osmani në Facebook:
Paska ndërruar jetë Ali Sadriu.
Aliu nuk ishte vetëm ministri i parë i financave, por edhe themeluesi i institucioneve fiskale dhe financiare të Republikës së Kosovës.
Në kohët më të vështira, Aliu ishte lis që nuk rrëzohej kurrë dhe mendje që ecte përpara, me qëllime, ide dhe bindje të qarta.
Periudha e pasluftës ishte jashtëzakonisht e vështirë – jo vetëm për t’u përgjigjur nevojave urgjente të rindërtimit, por edhe për të mbrojtur vlerat liridashëse dhe shtetndërtuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Trim i madh, burrë i vendosur, i qartë në ideale dhe në vizion.
Me drejtimin tënd dhe me ndihmën e shumë ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë, u themelua buxheti i parë i shtetit. U siguruan rrogat e para për mësuesit dhe mjekët. U ndërtuan institucionet më të rëndësishme financiare: Thesari, Buxheti, Administrata Tatimore dhe Doganore e Kosovës.
Nuk mund të harrohet gëzimi yt – edhe pse i përmbajtur, për shkak të natyrës sate – kur vendose doganën e parë në pikën kufitare të Merdarës.
As momenti kur, mbi një filxhan porcelani kafeje, u shënua shifra e parë e buxhetit të shtetit: 213 milionë euro.
U prehsh në paqe, Ali Sadriu.
Kontributi yt do të mbetet gur themeli i shtetit të Kosovës.
