Seanca gjyqësore në rastin “Banjska” është ndërprerë për shkak të mungesës së dëshmitarit anonim, i identifikuar si “A2”.
Sipas njoftimeve nga gjykata, seanca pritet të vazhdojë të hënën në ora 09:30, kur dëshmitari “A2” do të paraqitet sërish nën statusin e dëshmitarit anonim.
Nën masa të larta të sigurisë janë sjellë në gjykatore të akuzuarit Bllagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Deri më tani, në këtë proces gjyqësor janë dhënë disa dëshmi nga zyrtarë policorë lidhur me sulmin e armatosur të ndodhur më 24 shtator 2023 në fshatin Banjska të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Më 11 shtator 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiq dhe 44 të tjerëve, të cilët ngarkohen me një sërë veprash penale, përfshirë kryerjen e veprës terroriste, vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, lehtësimin dhe financimin e terrorizmit si dhe shpëlarjen e parave.