Seanca fillestare për tre të akuzuarit në rastin e sulmit në kanalin Ibër Lepenc në Zubin Potok është ndërprerë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas kërkesave të paraqitura nga palët mbrojtëse për përjashtimin e prokurorit të rastit.
Kërkesat u parashtruan me arsyetimin se gjatë fazës hetimore nuk janë ndërmarrë veprime të plota për mbledhjen dhe administrimin e provave të propozuara nga mbrojtja.
Sipas gjykatës, seanca është ndërprerë derisa të merret vendim nga Kryeprokurori kompetent lidhur me kërkesën për përjashtim të prokurorit publik, Bekim Kodraliu.
Avokati Nebojsha Vllajiq, mbrojtës i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, deklaroi se ka vërejtje serioze ndaj mënyrës së veprimit të prokurorisë dhe se ka kërkuar zyrtarisht përjashtimin e prokurorit.
Ai tha se kërkesa për mbledhje të provave ishte parashtruar që më 6 dhjetor 2024, vetëm disa ditë pas arrestimit të të akuzuarit, por sipas tij asnjë nga provat e propozuara nuk është administruar.
Vllajiq theksoi se janë marrë vetëm disa incizime nga një kamerë dhe se ato janë paraqitur në mënyrë selektive, pa sqaruar kohën, e cila sipas tij është element thelbësor për rastin. Ai shtoi se mosveprimi i prokurorisë ka sjellë humbjen e disa provave përgjithmonë.
“Kam vërejtje ndaj prokurorit të kësaj çështjeje, të cilat, nëse më lejohet nga gjykata, do t’i arsyetoj. Dëshiroj të parashtroj kërkesë për përjashtim të prokurorit publik, Bekim Kodraliu. Nuk kam kërkuar shumë herë përjashtimin e prokurorit në këto raste, përjashtimin e prokurorit nuk e kam kërkuar asnjëherë, ndoshta punoj tri vite dhe ndihem pakëndshëm. Prokurori publik mos ta marrë këtë si personale. I pandehuri Jovan është arrestuar më 1 dhjetor 2024 dhe vetëm 6 ditë pas kësaj kam parashtruar kërkesë për mbledhje të provave, më 6 dhjetor. Ia kam parashtruar prokurorit publik, por ia kam parashtruar edhe gjyqtarit. Të dy provat ia kam dorëzuar të dyve. Prokurori i atëhershëm publik ka qenë Halim Burovci, por tani është zoti Kodraliu. Asnjë veprim nga provat që i kam propozuar nuk është ndërmarrë. Unë kam propozuar që të merren video-incizimet nga dy objekte dhe që të bisedohet edhe me katër persona. Që të bëhet analiza bazike e stacioneve telefonike. Që të vërtetohet në kohën kritike nëse Jovani ka pranuar sinjalin, kjo do të tregonte se ku ka qenë. Në asnjë mënyrë nuk është vepruar sipas kësaj. Janë marrë vetëm disa incizime të një kamere dhe na janë shfaqur në mënyrë selektive. Nuk është treguar koha, e cila është e rëndësishme”.
“Në këtë mënyrë, prokurori publik e ka shkelur dispozitën e procedurës penale, e cila thotë se është i obliguar t’i vërtetojë faktet që shkojnë në dobi apo në dëm të të pandehurit. Disa prova janë humbur përgjithmonë. Askush nuk është i obliguar t’i ruajë incizimet një vit, nëse dikush nuk ia urdhëron këtë. Për këtë ekzistojnë arsye të rëndësishme, të cilat nxisin dyshimin në paanshmërinë e prokurorit publik, sepse veprimi i deritanishëm nuk ka qenë i paanshëm. Në bazë të ligjit të procedurës, dispozitat për përjashtimin e gjyqtarit zbatohen konform edhe për përjashtimin e prokurorit. Gjyqtari, posa ta pranojë kërkesën për përjashtim, është i obliguar ta ndërpresë punën lidhur me lëndën. Kështu konsideroj se është edhe në këtë rast. Sipas interpretimit tim të ligjit për përjashtimin e prokurorit publik, vendos kryeprokurori. Kështu që unë këtë kërkesë dje ia kam dorëzuar me postë kryeprokurorit, ndërsa sot ia kam dorëzuar gjykatës dhe prokurorit Bekim Kodraliu. Konsideroj që ajo kërkesë është e bazuar dhe pas vendimit të gjyqtarit kompetent ne do të vazhdojmë me procedurën”, tha ai./S.K/EO/
