UBT News

Ndërpritet seanca fillestare ndaj të dyshuarve për spiunazh

Seanca gjyqësore ndaj të pandehurve Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimit të dyshuar për spiunazh për Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA) është ndërprerë të mërkurën duke u shtyrë për 17 mars në ora 09:00.

Avokati i Bedri Shabanit, Besnik Berisha ka thënë se klienti i tij nuk mund të deklarohet në seancën e sotme, kjo për shkak siç tha ai nevojitet kohë të lexojë aktakuzën.

“Nuk jemi kundër të lexohet, por deklarimi i të akuzuarit është i pamundur për shkak se siç e konstatoi gjykata pak minuta para se ju të hyni në sallë atij i është dorëzuar një kopje e aktakuzës e cila përveç se është voluminoze kërkon analizë e sqarime edhe nga mbrojtja prej tij dhe anasjelltas. Kështu marrë parasysh të drejtën e tij para se të deklarohet të njofton për akuzat që rëndojnë dhe ta kuptojë secilën pretendent të ngritur ndaj tij. Kam frikë se sot nuk kemi kushte për të vijuar më tutje, sepse është e pamundur që brenda këtij afati të shkurtër akuza të lexohet e studiohet. Kisha një takim blic para se të hyjë këtu dhe ma konfirmoj që ka nevojë të marrë aktakuzën me vete, të lexojë dhe të takohet bashkë pasi ku të ketë mundësinë të lexojë, tek pastaj t’i jepet mundësia të deklarojë lidhur me fajësinë apo pafajësinë”, tha Berisha.

Me ç’rast kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri tha se duke qenë se i akuzuari ka të drejtë të njihet me aktakuzë, Gjykata nxjerr vendim me të cilin ndërpritet seanca e shqyrtimit fillestar dhe e radhës caktohet për 17 mars në ora 09:00.

“Duke qenë se i akuzuari ka te drejtë që të njihet me aktakuzën marrë parasysh propozimin e tij se nevojitet kohë të lexojë aktakuzën, gjykata nxjerr vendim se ndërpritet seanca e shqyrtimit fillestar, caktohet seanca e radhës për 17 mars ora 9:00 në këtë Gjykatë”, tha ai.

Derisa i akzuzuari tjetër, Muharrem Qerimi deklaroi se e ka kuptuar aktakuzën.

“E kam kuptuar aktakuzën plotësisht dhe s’kam asgjë të paqartë”, tha Qerimi.

Ndërkaq, prokurori, Bekim Kodraliu ka thënë se aktakuza është vuluminoze dhe kanë shumë prova, derisa konsideroi se ka qenë kohë e mjaftueshme për lexim të aktakuzës, që të akuzuarit të deklarohen rreth fajësisë sot.

Megjithatë, u pajtua se mund t’i jepet të akuzuarve kohë që të lexojnë aktakuzën dhe më pas të deklarohen.

Kujtojmë se, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, për vepren penale “Spiunazh”.

Të njëjtit dyshohen se i kanë dhënë informacione Shërbimit Sekret Serb (BIA), mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), masakrat në Kosovë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Policinë e Kosovës e Inspektoratin Policor të Kosovës.

Në viti 2024 janë arrestuar dy persona, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar me BIA-n serbe. Arrestimi i tyre ishte bërë i mundur pas zbulimit nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI).

Exit mobile version