Dyshohet se gjatë së hënës një person është hedhur nga Ura e Fshejtë në Gjakovë. Mirëpo kërkimet për të janë ndërprerë për shkak të reshjeve atmosferike. Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Nusret Gjurkaj.
“Pas vëzhgimit të terrenit dhe në veçanti shtratit të lumit janë ndërprerë kërkimet, me arsyetim kushtet e pamundshme të kërkimit nga uji dhe të reshurat atmosferike. Për vazhdimin e këtij operacioni do te njoftoheni”, tha Gjurkaj.
Gjatë së hënës është raportuar se i dyshuari veturën e ka parkuar afër rrugës dhe aty ka lënë një letër.
“Tani jemi në fazën e parë të hetimeve dhe nuk mund të japim detaje më shumë. Dyshohet se një person i lindur rreth vitit 1971/72 është vërejtur nga një kalimtar i rastit që ka kërcy. Veturën e ka parku afër rrugës e ka lënë një letër. Policia e ka këqyr vendin e ngjarjes. Ne kemi njoftu njësitë e kërkim-shpëtimit, presim që edhe ata të na e bashkëngjiten”, ka thënë të hënën Gjurkaj.